Një lajm tragjik vjen nga spitali i Traumës, ku ka humbur jetën 20-vjeçarja Xhesika Biqiku, e cila prej tre ditësh ishte në gjendje Kome për shkak se kishte dëmtime të rënda në kokë nga rënia e tullave gjatë tërmetit të 26-nëntorit. Ajo jetonte në një pallat në Kombinat, ku gjatë lëkundjeve së bashku me familjen e saj ishin munduar të largoheshin nga apartamenti ku jetonin por fati deshi që Xhesika të mos ia dilte dot.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm babai i saj, Ilia Biqiku u takua edhe me kryeministrin Rama tek zona e Kombinatit. Një lutje e trishtë u bë nga ai në drejtim të Kryeministrit teksa i kërkonte ta dërgonte vajzën në Itali.
“Kam gocën në spital, në reanimacion. Tani po rrinë doktorët, italiani dhe shqiptari, faleminderit shumë po u përmend një çik thonë italianët direk ne do ta çojmë në Itali. Kam gocën e madhe, Sabinën, jashtë rrezikut është sakatu. (qan) Po ashtu fol ndonjë llaf të mirë të ma çojnë gocën, të mbushë 20 vjeçe”, tha i ati i Xhesikës mes lotësh.
Xhesika Biqiku ishte parashikuar që të nisej me helikopter në Itali që dy ditë më parë, por gjendja e saj e rënduar nuk e bëri të mundur diçka të tillë. Grupi i mjekëve italian pasi panë gjendjen e saj shëndetësore, vlerësuan se një lëvizje e trupi të vajzës 20-vjeçare për të transportuar në helikopter do të ishte fatale. Megjithëse mjekët u munduan ta mbanin në jetë Xhesika nuk ia doli dot. Sipas babai të saj, e reja kishte dëmtime të shumta në kokë që i kishin prekur edhe trurin.
Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti, vdes në spitalin e Traumës 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku. Ajo ishte në gjendje koma prej tre ditësh. 20-vjeçarja u aksidentua në momentin e tërmetit pasi po tentonte të largohej i ra një tullë në kokë.