Një sherr me sende të forta e grushte mes dy personave raportohet se ka ndodhur ditën e sotme në Vlorë, në lagjen “Hajro Çakërri”, Si pasojë e konfliktit ka humbur jetën njëri prej personave të përfshirë në sherr.
Bëhet fjalë për shtetasin Armando Memshani, rreth 55 vjeç, punonjës ndërtimi, i cili ka humbur jetën në vend për shkak të goditjeve që ka marrë nga autori.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se viktima mund të jetë goditur me sëpatë, por mbetet ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Ngjarja ka ndodhur pranë Gjykatës së Vlorës, në ambientet e një qendre interneti, ku edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë.
Shkak dyshohet të ketë qenë një konflikt për çështje pronësie, ndërsa forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave, si dhe kapjen e autorit të krimit.
Vlorë/Informacion paraprak:
Rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”, në një qendër interneti, 2 shtetas janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe gjatë konfliktit shtetasi A. M., rreth 55 vjeç, për shkak të dhunës fizike (goditjeve me grushte), ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Nga veprimet e shpejta është bërë identifikimi i autorit dhe vijon puna për kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.