Deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi sot ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që pas rritjes së pagave të nisë reformën në administratë për të larguar të paaftët dhe të tepërtit. Ish-zv/ kryeministri kërkoi që çdo individ të paguhet për punën dhe jo për karrigen.
“E para mbi të gjitha, rrogat natyrisht janë një vlerësim monetar i punës, që kanë vlerësimin e punës, por edhe statusin e individit apo edhe pa diskutim me vështirësinë e punës. Hierarkia është vendosur që në ’90.
Parlamenti zë një vend shumë të rëndësishëm. Mjerë ai që e shikon si institucion që ka grumbulluar ca njerëz që e kanë mendjen për të vjedhur dhe grabitur. Në kuvend patjetër që ka deputetë që i bëjnë nderë demokracisë. Që të jesh deputet nuk është qokë.
Jo, të jesh deputet është nderi i jetës sa kohë materializon atë që është qëllimi kryesor, ti shërbesh interesit publik. Kemi tepër njerëz në administratë, nëse shikojmë eficencën e punës. Të tepërtit dhe të paaftët të dalin jashtë. Kësaj reforme të pagave ti shkojë pas një reformë në administratën publike. Secili duhet të paguhet për punën dhe jo karrigen”, tha ai.