Një 39-vjeçar shqiptar në Greqi është vrarë me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në qytetin e Pireut. Mësohet se shqiptari u qëllua nga një 68-vjeçar. Sipas informacioneve, viktima me origjinë nga Shqipëria u konfliktua me vrasësin e tij për shkak të parkingut.
68-vjeçari e ka qëlluar me armë gjahu shqiptarin, Brigen Limka, 39 vjeç, ndërsa nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes.
Ai u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Zaneio, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Autori u arrestua, ndërsa forcat e policisë ndodhen në vendngjarje duke kryer hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Mjaftuan vetëm 9 sekonda dhe 2 të shtëna me armë gjahu, që i morën jetën shqiptarit Brigen Limka në Greqi. Mes tyre kishte nisur një debat që sipas dëshmitarëve ishte thuajse e përditshme. Sipas tyre 68-vjeçari debatonte jo vetëm me viktimën, por edhe më fqinjë të tjerë.
“Mes tyre pati debat. Autori u ngjit në banesën e tij mori pushkën dhe pasi e qëlloi tha; “tani mbarova me ty”.
Ai njeri kishte sjellje të çuditshme”, është shprehur një dëshmitare.
Gjithashtu një tjetër thotë se autori i vrasje shkaktonte shpesh probleme dhe debatonte me fqinjët edhe për gjëra të parëndësishme.