Shkollat, çerdhet e kopshtet do të qëndrojnë mbyllur deri më 16 janar. Ky është vendimi i fundit i qeverisë.
Me një urdhër të mëparshëm, qeveria kishte vendosur që pushimi të zgjasë deri ditën e hënë, por për shkak se epidemia e gripit ka përfshirë mijëra banorë, ndërsa edhe moti nuk premton përmirësim, burime nga qeveria pohojnë se, pushimi për sistemin parauniversitar do të zgjasë deri më 16 janar.
Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të masave për parandalimin e virusit të gripit, vendosi që çerdhet, kopshtet dhe shkollat të qëndrojnë të mbyllura, pasi moti i ftohtë krijon kushte të favorshme për përhapjen e virusit. Por duket se situata është rënduar edhe më tej, pasi është shtyrë pezullimi i mësimit edhe për një javë tjetër.
Po ashtu do të jetë pushim edhe për njërin nga prindërit e fëmijës së mitur, që punon në administratë.
Shifrat e fundit tregojnë se 10 persona janë në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa është konfirmuar se 8 prej tyre janë prekur nga gripi AH3N2.