Seanca për Ervin Salianjin në Gjykatën e Apelit në Tiranë është shtyrë për në 18 korrik, ku shkak për këtë është bërë mungesa e avokatëve, por edhe mungesa e një trupi gjykues.Në një deklaratë për mediat, Salianji u shpreh se kur një person kërkon drejtësi, gjithmonë ka vonesa në proceset gjyqësore. Sipas tij, nuk mund të ketë një dënim kur nuk ka vepër penale, pasi sic thotë ai, ka bërë denoncim dhe jo kallëzim.
Salianji: Për shkak të mungesës së avokatëve por edhe një anëtarë të trupit gjykues seanca u shty. Vonesa dhe sorollatjet janë të përhershme sa herë që një person kërkon drejtësi. Ankimi është i plotë, janë te gjithë elementet. Nuk ka pasur vepër penale. Në rastin tim unë kam paraqitur prova për të paraqitur para publikut dhe për të provuar pafajësinë time. Jemi në një rast që duket sikur është i koklavitur, por është shumë e thjeshtë. Unë nuk kam bërë kallëzim, por një denoncim për një të dënuar. Pjesa e investigimit të gazetarit është e njohur për publikun, sesi të gjithë drejtuesit e lartë politikë ishin të përfshirë në një çështje ku kërkonin të involvonin një dëshmitar të rremë, një personazh që sot i ka marrë paratë e veta nga qeveria dhe sot ishte dakord edhe me burgun që ka bërë.
Pyetje: A shpresoni se do ju japë Apeli pafajësi?
Salianji: Po ça do bëj do hidhem përpjetë? Çdo vendim i gjykatës do zbatohet unë po them me fakte e prova që s’ka gjykatë që nuk e merr parasysh. Fakti tjetër që prokurorët të gjithë por dhe gjyqtari që është marrë me çështjen janë larguar që të gjithë ose kanë dhënë dorëheqjen janë të gjithë më atë moment të caktuar për shkak se njihej si babai i reformës në drejtësi personi i përfshirë dhe njeri me pushtet politik ka pasur ndikimin e vet për të dhënë një vendimmarrje të caktuar. Sot ata s’janë në sistemin gjyqësor çka i bën dhe të paragjykuar. Kjo çështje do shkojë në gjithë instancat gjyqësore. Jam i bindur që do ketë vendimmarrje për pafajësi se s’mund të ketë dënim për denoncim publik. Unë detyrën time si politikan e kam bërë dhe madje kam arritur që nëpërmjet denoncimit të largoj një person të dënuar me vendim të formës së prerë për të kryer dënimin.