Si Krishti me kamzhik, por në Tiranë nuk ka shenjtorë

0
99
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lorenc Vangjeli

“Mos u çudisni nëse më shihni ndonjë ditë me ndonjërin me këta përveshi te SPAK-u”! Edi Rama ishte i zymtë kur tha këto fjalë në kongresin e partisë se tij në prillin e vitit të shkuar. Ndërsa ai fliste, kamera e regjisë qëndrore shëtiste “rastësisht” mbi disa portrete zyrtarësh të lartë të qeverisë dhe të PS-së. Shumica e tyre në ngut për të qeshur, meqë kjo ishte mënyra e vetme për të treguar se Boss-i nuk e kishte me ta dhe sepse nuk bënin dot ndryshe: një nga detyrat e pamungueshme të tyre është të qeshin me humorin e tij edhe kur ai është i zi si të vërtetat e thjeshta.

Pakkush e ka harruar këtë batutë të famshme të Edi Ramës, e cila është kujtuar në mënyra të ndryshme me kalimin e kohës. Bashkëpunëtorët e tij, njëlloj si miqtë dhe armiqtë ishin të bindur atëherë, se Rama ishte njeriu që kushtëzonte jo vetëm karriera individuale, por edhe rradhën e atyre që do të uleshin përballë prokurorëve të SPAK-ut. Madje dhe Rama vetë nuk do ta kishte problem të binte në gjunjë e të lutej në mes të zyrës së tij: Allah, Allah, bëje të vërtetë këtë gjë!

Një vit e gjysmë më vonë, edhe Rama nuk ra në gjunjë për t’u lutur, edhe miqtë dhe armiqtë e tij e kuptuan më së fundi se rradha për mëkatarët në SPAK përcaktohet nga një pol tjetër pushteti. Fillimisht fatkeqësia politike e më pas edhe juridike e Ahmetajt dhe më pas edhe Kutia e Pandorës së hapur me përgjimet franko-belge-hollandeze e ndonjë detaj tjetër për të cilin nuk është folur shumë publikisht, dëshmuan një realitet krejt tjetër. Për habinë e skeptikëve, skepticizmin e optimistëve dhe mësimin e gjithë të marrëve, në Tiranë u shuan, u rishkruan dhe u rikrijuan ekuilibre të reja mes tre pushteteve kushtetuese në vend: pas vitesh të mundimshme me vetting, betejë me traditën e ligë apo dhe revansh njerëzor e burime të munguara njerezore, drejtësia u shnderrua në polin e tretë të pushtetit në vend.

Përballë këtij rirreshtimi “forcash”, dy polet paralele të pushtetit, pozita dhe opozita, ndoqën trajektore të ndryshme. E para vazhdonte të garantonte fitore elektorale, por njëkohësisht edhe të akumulonte arrogancë e skandale, kurse të dytën e ndiqte fati i budallait: e gjente vetë rrugën për t’u gremisur. Si për të rivendosur ekuilibër, qetësia dhe ekuilibri i brendshëm në PS nisi të prishet gjithmonë e më tepër nga lumenj vreri e tmerri, zilie e xhelozie dhe nga thikat që secili i ngulte shpinës së tjetrit, por që jo cuditërisht, në llogari të fundit, i nguleshin të gjitha Edi Ramës.

Vetë Edi Rama nuk ishte më mbreti i frikës që përcaktonte rradhën për në SPAK. Në një rrokullisje të pabesueshme zarash të fatit, sic u dëshmua në këtë gusht, ai u shndërrua papritur në targetin e fshehur të një aleance të panatyrshme interesash, të kompozuar me personazhe nga më të pabesueshmit. Berisha dhe të tijët nga një anë dhe një konglomerat portretesh nga e majta. Nga ata që presin rradhën për në SPAK, tek ata që nuk e shohin më veten në listat e ardhshme; nga ata që i blatojnë vullnetit të tij cdo hap të karrierës, tek ata që kërkojnë vijimësi maje me mosikje edhe mbasi Ramës t’i shkasë këmba, nga milionerë që e kanë pasur CEO të përbashkët të bizneseve të tyre, tek banditë që e kanë kthyer krimin në biznes.

Për herë të parë në PS u thye në mënyrë të heshtur tabuja që Rama ishte i paprekshëm dhe pushteti i tij partiak i pacënueshëm. Në PS janë shtuar të heshturit në hije dhe hijet që po nisin të thyejnë heshtjen, që nuk e shohin më shefin e tyre si zgjidhësin e problemeve, por si problem për t’u zgjidhur. Një deja vu e frikshme e socialistëve në 2005-ën me Nanon dhe demokratëve në 2013-ën me Berishën, kur ndjekësit e tyre pranonin humbjen e të tërës vetëm për të shpëtuar nga tutela e liderit; pranonin opozitën si purgator përpara vijimit të pushtetit si pagator pasionesh egoiste!

Ky gusht i trazuar i zbuloi Ramës atë që nuk do të donte ta mësonte kurrë se mbasi i dha partisë sa tij tre mandate të njëpasnjëshëm, mbasi një shumicë dërmuese të njerëzve të tij që e ngjiti lart thjesht si zgjedhje personale, që “i bëri me para dhe dashnore”, sic nuk e kishin ëndërruar kurrë, pikërisht ata që kanë përfituar më shumë prej tij, nuk e duan dhe nuk e kanë dashur kurrë. Por nëse deri dje ai e përbuzte estetikisht dashurinë e tyre dhe shijonte vetëm frikën që ju ngjallte, sot që frika ka ndryshuar adresë dhe hipotekën e saj e ka SPAK-u, një pjesë e tyre ëndërrojnë ndarjen me të. Me paratë që shpresojnë te mbajnë dhe dashnoret që edhe mund t’i lenë, ata kërkojnë një tjetër pol garancie për hallet e tyre vetjake. Gjykuar në këtë mënyrë, debati për katet e kullës dhe betonin në gropën e Hajdinit, beteja demokratiko-nacionaliste për “beun” e burgosur, Bejlerin e Greqise dhe hareja për eksodin e turistëve drejt Jonit e Adriatikut, sharmi vetjak që tërheq Melonin në Vlorë dhe interesi në miqësi që sjell Blair-in në Himarë, janë vetëm elementë të kronikës së verës. Eshtë vetëm një shmangie e përkohshme që Rama po i bën një realiteti që ai e di se është shumë më i zymtë se ai që përfytyrojnë dhe kundërshtarët e tij më të zëshëm. Instikti duket se po i kërkon Ramës të përdorë pikërisht instiktin e tij të djeshëm prej artisti antikonformist që mediokritetin e hajdutëve mediokër, jo thjesht ta refuzojë e ta përbuzë, por ta shmangë nga vetja. Që të shquajë se shpurës së servilëve që e rrethojnë, kravata e politikanit ju rri qafës si pulës brekët.

Me energjinë e djeshme dhe me llogarinë për nesër, Rama ndoshta do të kishte më shumë nevojë se dëshirë që te sillej si Krishti në Tempull me kamzhik në dorë mbi mëkatarët që ai vetë i ka futur në Tempull, sesa të rindërtojë një mozaik të thyer. Jetëgjatësia në pushtet i ka mësuar të vërtetën e trishtuar që me gjithë deshirën, Krishtit nuk i ka rënë ndonjëherë rruga për në Tiranë, kurse mëkatarët janë aq shumë sa një kamzhik i vetëm nuk jua del dot mbanë. Aq më tepër që kamzhiku i tij i ndëshkimit politik, ndodhet tashmë në duart e Dumanit apolitik.

Më shumë Çezar i socialistëve, i tradhëtuar nga të vetët, sesa shenjtor i drejtësisë, me gjasë Rama tashmë e sheh ish-zëvendësin e tij në arrati, ndryshe nga korriku kur pranoi prangat për të. Tani ai është guri i parë i dominosë që mund të rrëzojë dhe shumë gurë të tjerë. Duke rrezikuar deri dhe një dopio gjashtë të mbetur të vetmuar në fushë. Dhe atëherë, me duar të zëna nga dominotë e rrëzuara, Edi Rama nuk do të ketë mundësi të kapë më njeri për veshi rrugës për ta cuar në SPAK.

Zjarr Tv Ad