Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për skandalin e Tire Alldervishit togat e zeza kanë vendosur pafajësi për të dyshuarat e tjera, përveç Tire Alldervishi.
Tire Alldervishi u dënua me 22 muaj shërbim prove, pasi i mori 8 mln lekë pacientes me Covid në këmbim të shërbimit.
Skandali “Tire” u publikua për herë të parë në një emision investigativ dhe nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere familjareve të pacientëve që ishin të shtruar në spitalin Shefqet Ndroqi, duke u marrë para në kërkim të shërbimit.
Po ashtu “Tire” u filmua nga një vajzë të cilës arriti t’i zhvaste rreth 8 milionë lekë, duke i premtuar se do kujdesej për nënën e saj që ishte me Covid-19, por pacientja ndërroi jetë.
Në njoftim thuhet se është vendosur:
1. Ndryshimin e cilësimit ligjor të faktit penal në ngarkim të të pandehurës T. A., dhe deklarimin e saj fajtore për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga neni 143/1 i K. Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 4 (katër) vjet burgim.
2. Ekzekutimi i këtij dënimi fillon ditën e ndalimit të saj, kryer në datën 12.01.2021, për llogari të këtij proçedimi penal.
3. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur të pavuajtur të këtij dënimi penal (konkretisht prej 11 muaj), dhe vënien e të pandehurës, në provë për një periudhë prej 22 muajsh, me kusht që gjatë kohës së provës, e pandehura të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
4. Në aplikim të nenit 60/9 të K.Penal, urdhërohet e pandehura, të mos shoqërohet me persona të dënuar.
5. Në zbatim të nenit 61 i K. Penal, e pandehura detyrohet të mbajë kontakte të vazhdueshme dhe sistematike me Zyrën e Shërbimit të Provës, duke zbatuar kushtet dhe detyrimet e caktuara nga Gjykata.
6. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, e pandehura detyrohet të marrë pëlqimin e zyrës së shërbimit të provës për ndryshimin e vendbanimit, për lëvizjet jashtë vendit, si dhe ato të shpeshta brenda vendit.
7. Afati i provës fillon nga e nesërmja që ky vendim të marrë formë të prerë.
8. Një kopje e këtij vendimi i komunikohet zyrtarisht menjëherë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe Zyrës së Shërbimit të Provës, Tiranë.
9. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën M. B., për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” , parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
10. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Sheqerije Koçi, për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” , parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
11. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Sidorela Çela, për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” , parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
12. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Erjola Jazxhi, për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 të K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” , parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
13. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Gylbra Halilaj, për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
14. Deklarimin e pafajshme për të pandehurën Rukije Hoxhaj, për veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2/3 – 25 te K.Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës” , parashikuar nga neni 248 e 25 i K.Penal.
15. Shpenzimet proçedurale gjatë fazës së hetimit dhe ato gjyqësore vihen pjesërisht në ngarkim të të pandehurës T.A., dhe pjesërisht në ngarkim të organit të prokurorisë.
16. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi të arsyetuar.
17. U shpall, sot në Tiranë, në datë 27.12.2024.