Partia Demokratike denoncoi një tjetër skandal të mazhorancës.
Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu, tha se djali i Blendi Gonxhes, ka fituar 200 mijë dollarë, kur në regjistrin tregtar nuk deklarohet asgjë. Balliu kërkoi nisjen e hetimeve për Blendi Gonxhen, drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
DEKLARATA E PLOTË
Në datën 30.08.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor lidhi kontratë në nr. 18631/64 prot, me objekt: “Ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)”, objekt multifunksional në interes publik, për Shërbimet Qendrore të Transportit Rrugor”, vlera 8.6 MILIARDË LEK (te vjetra dhe me tvsh), kohëzgjatja e kontratës 18 (tetëmbëdhjetë muaj) nga data e fillimit të punimeve sipas grafikut të punimeve. Zbatuesi i punimeve (kontraktori “HASTOÇI” shpk).
Sipas dokumenteve të tenderit, godina do të ketë 6105 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi dhe do të kushtojë 8.2 milionë euro. Pra, rreth 1350 euro për metër katror. Pa asnjë shpenzim për tokën, sepse trualli është i shtetit. Po si përllogariten këto shifra?
A kanë lidhje këto me tregun aktual apo shërbejnë vetëm për t`u vjedhur pavarësisht se ligji shkelet me të dyja këmbët?
A ekzistojnë më institucione ligjzbatuese në këtë vendin tone për të vlerësuar këto lloj shkeljesh, apo Blendi Gonxhe mund të vazhdojë i qetë të fryjë fondet e më pas t’i përvetësojë ato pa u shqetësuar (duke qenë se kostot reale të implementimit të kontratave janë shumë herë më të ulëta) si të ishin trashëgimi personale.
Po çfarë detyrash ka mbajtur së fundmi Blendi Gonxhja?
Nga gushti 2015, Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit.
Nga tetori 2015, drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë.
Nga nëntori 2018 e në vijim, Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Aktualisht pronar në:
ALBARENT shpk
Objekti: Dhënia me qira e makinave, motorëve, minibus, autobus, jahte, mjete lundruese etj, si dhe të gjitha llojeve të tjera të mjeteve motorike, personave të tretë. Tregtim, shërbim me qira, me drejtues mjeti, për çdo mjet të lëvizshëm të lejuar për qarkullim, shërbim taksi, shërbim urban, ndërurban, ndërkombëtar, ndërkontinental, etj. Pronar 100% Blendi Gonxhja
Pas vitit 2012 nuk paraqitet asnjë bilanc i deklaruar pranë QKB.
Objekti i kësaj shoqërie tregtare lidhet drejtpërdrejtë me detyrën aktuale që mban Blendi Gonxhe …
2014 – 2023 përfitoi 135 transaksione vlera 198 milionë lekë (të vjetra) kryesisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, por edhe Agjencia e Zhvillimit Rajonal nr.2 Tiranë (3535), apo Agjencia Kombëtare e Turizmit, Aparati i Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Si anëtar i rrethit të ngushtë të Ramës, Blendi Gonxhja nuk kishte si t’i shpëtonte bashkë vjedhjes me Integrated Energy BV SPV. Nga 2019 deri 2021 kompania Albarent e Blendi Gonxhes është paguar rregullisht edhe nga koncesionari Integrated Energy Bv Spv për marrje automjetesh me qira kundrejt vlerës 151 milion lekë (të vjetra).
Dante Gonxhja person fizik (ish-Rental Cars Albania) (djali i Blendi Gonxhes)
Regjistruar 2014 – objekti: Dhënie automjetesh me qira dhe tregtimi i tyre nuk ka as bilance, as dokumente te tjera ligjore të publikuara.
2016 – 2019 Dante Gonxhja përfitoi pagesa nga Akademia e Shkencave, Aparati i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (3535)/ish Aparati Ministrisë së Punëve të Jashtme (3535), Kuvendi për marrje makinash me qira vlera 6.6 milionë lekë (të vjetra)
Blendi Gonxhja, në deklaratat e pasurisë që ka dorëzuar në ILDKPKI, deklaron se djali i tij ka fituar vetëm në vitin 2015, 38 mijë USD nga kompania fantazmë dhe pa asnjë bilanc.
Nga viti 2015, e në vijim kur Gonxhja nisi punën në bashki si drejtor te Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit dhe deri në vitin 2020 kur kishte bërë kërdinë si drejtor i DPSHTRR, Blendi Gonxhja deklaron në ILDKP rreth 200 mijë USD fitime dhe paga e djalit të tij, Dante Gonxhja, përmes kompanisë që nuk ka asnjë bilanc të publikuar.
Si i fitoi djali i Blendi Gonxhes 200 mijë USD kur në regjistrin tregtar nuk deklarohet asgjë? SPAK të hetojë Blendi Gonxhen!
Si përfitues i parave publike nga biznese private, ndërkohë mban detyra shtetërore për tenderat fiktivë, mbulimin e autoshkollave që nuk plotësojnë kriteret, ryshfeti për licencat e transportit, dhënia e disa shërbimeve me koncesion etj., Thonë se disponon 4 veturat luksoze familjare, 32 makinat “Retro” që ka i biri dhe 70 makinat “Tax”-i që jep me qira.
Partia Demokratike në emër të qytetarëve të cilët paguajnë paratë për tenderat qindra milionëshe që Blendi Gonxhe menaxhon pyet SPAK-un:
Çfarë mund të bëjë më tepër se kaq një zyrtar shtetëror për t`u ndjekur penalisht?