Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë një vizite në familjen Jaku të prekur nga tërmeti, se buxheti i Shqipërisë mjaftonte për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e prishura.
Por, sipas Berishës, qeveria i ka marrë të gjitha paratë që dhuruan donatorët dhe i kanë shpërdoruar për vete.
Berisha mori si shembull ndërtimet e shkollave. Ai u shpreh se në Gjermani, Francë dhe Zvicër, shkollat ndërtohen me 680 mijë dollarë.
Ndërsa në Tiranë, sipas Berishës, shkollat ndërtohen me 4-5 milionë euro.
Berisha: Edhe sikur asnjë qindarkë të mos jepte kush, buxheti i Shqipërisë mjafton për të ngritur në këmbë çdo shtëpi dhe çdo pallat. 1 miliardë ka shkuar rruga e kombit. Është ndërtuar me taksat e shqiptarëve. Sot ka pare, por çfarë bëjnë këta? Nëse e ke parasysh tunelin e Kërrabës. Nga tuneli i Kërrbës deri në Elbasan ne ndërtuam rrugën bashkë me tunelin. Nga Farka në Elbasan ishte prokuruar për 250 mln euro. Kur dorëzuam projektin, kishte ngelur vetëm 7 km. Me ato 7 kilometra, ia kanë rritur nga 250 mln në mbi 400 mln euro. Vjedhin dhe vetëm vjedhin. Në vend se vijnë të ndërtojnë shtëpitë e tërmetit, kryebashkiaku i Tiranës ndërton me 5 mln euro shkollën, e cila ndërtohet me 600 mijë euro.
Shkollat në Gjermani, Francë, Zvicër kushtojnë 680 mijë euro. Erion Veliajt i kushton shkolla 4 mln euro. Po të shkosh tek shkolla, aty ishte një rrugë në mes të Tiranës, pak a shumë e ngjashme me një rrugë që ishte kur erdhëm këtu, e pashtruar. E the shumë bukur, janë verbuar. Është tejkaluar diktatura në disa aspekte. Diktatura kishte të zezën e madhe që të internonte dhe të pushkatonte. Ky ka burgosur për energji elektrike dhe fatura uji 38 mijë shqiptarë. Në 46-ën, Enver Hoxha arrestoi për çështje politike 16 mijë qytetarë.




