28 Nëntori hyn në kalendarin zyrtar të New York-ut! Dita e Pavarësisë së Shqipërisë do të përkujtohet çdo vit

Share

Nga ky vit, 28 Nëntori do të ketë një vend të veçantë edhe në kalendarin e Nju-Jorkut, qytetit ku jetojnë mbi 100 mijë shqiptarë dhe amerikanë me origjinë shqiptare. Këshilli i Qytetit ka miratuar një rezolutë që njeh zyrtarisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e kthyer atë në një datë që do të përkujtohet çdo vit në metropolin amerikan.

Rezoluta u miratua më 19 nëntor 2026, me propozim të këshilltares Amanda C. Farías, nismës së të cilës iu bashkuan edhe tre këshilltarë të tjerë, Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.

Përmes dokumentit, Këshilli i Qytetit nderon jo vetëm shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por edhe kontributin që komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Nju-Jorkut.

Sipas të dhënave të cituara në rezolutë, mbi 100 mijë banorë me prejardhje shqiptare jetojnë në pesë njësitë administrative të qytetit, me përqendrimin më të madh në Bronx dhe Staten Island.

Dokumenti i kushton rëndësi edhe historisë së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke rikujtuar mbështetjen amerikane për pavarësinë dhe shtetësinë shqiptare dhe duke i dhënë  festës kombëtare të shqiptarëve njohje institucionale të përvitshme.

Read more

Local News