Shqipëria po shtegton nga tranzicioni drejt një krizë ekzistenciale demografike. Të dhënat e shtesës natyrore për vitin 2024 dëshmojnë se 44 bashki nga 61 gjithsej kishin shtesë natyrore negative sipas të dhënave të INSTAT. Rreth 72% e bashkive ishin me shtesë natyrore negative.
Jugu në “Vdekje Klinike”
Në krye të listës së bashkive me rënien më drastike të shtesës natyrore qëndrojnë Dropulli (-89.6%), Pusteci (-81.8) dhe Finiqi (-80.5). Këto zona po përjetojnë atë që sociologët e quajnë “implozion demografik (shkrumbim i popullsisë)”.
Për ekonominë lokale, kjo do të thotë fundi i konsumit. Bizneset e vogla, shërbimet dhe tregtia në këto zona po mbyllen pasi nuk ka më blerës. Mungesa e moshës riprodhuese tregon se këto bashki janë kthyer në azile gjigante në qiell të hapur, ku e vetmja e ardhur mbetet pensioni dhe remitancat, duke e bërë rritjen ekonomike të pamundur.
Akset Turistike dhe paradoksi i shtëpive bosh
Bashkitë si Himara (-64.4%), Përmeti (-62.1) dhe Saranda (-19.5) shfaqin zhvillime shqetësuese Megjithëse turizmi po lulëzon, baza e popullsisë në këto zona po shkrihet. Ky trend paralajmëron një krizë afatgjatë për sektorin e hotelerisë.
Pa një popullsi vendase të re, këto zona do të jenë plotësisht të varura nga punëtorët e huaj (nga Azia apo Afrika), duke rritur kostot e operimit dhe duke ndryshuar profilin e shërbimit.
“Ishujt” e mbijetesës Tirana, Kamza dhe Veriu
Në anën tjetër Kamza (119.4%) dhe Tirana (61.9%) mbeten motorët e vetëm demografikë, me shtesë natyrore pak të dukshme. Megjithatë, rritja e tyre nuk është organike, por për shkak zhvendosjes së popullsisë nga qarqet e tjera.
Teksa kostoja e jetesës në Tiranë po bëhet pengesë për lindshmërinë e mëtejshme. Zonat e veriut si Kukësi (73.3%), Dibra (68.35) dhe Kurbini (15.75), të cilat ruajnë një shtesë pozitive.
Por edhe këtu, ekonomia nuk përfiton. Këto zona po prodhojnë burime njerëzore për eksport, ku të rinjtë që lindin aty, sapo arrijnë moshën e punës, emigrojnë drejt BE-së ose Tiranës, duke e lënë veriun me një bilanc pozitiv lindjesh por me një varfëri kronike investimesh.
Me një shtesë natyrore që në totalin kombëtar po shkon drejt zeros ose minusit, nëse heqim metropolet, Shqipëria po humbet dividendin demografik. Me më pak lindje dhe më shumë vdekje (plakje), raporti kontribuues/përfitues do të rëndohet, duke detyruar qeverinë të rrisë taksat ose moshën e daljes në pension.
Industritë fason dhe ato përpunuese, që deri dje bazoheshin te kostoja e lirë e punës në rrethe si në Librazhd apo Krujë do të detyrohen të mbyllen ose të robotizohen me ritme të shpejta për shkak të mungesës fizike të punëtorëve. /Monitor




