Dy pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim si rezultat i operacionit “Përsëritësit”.
I arrestuari kryesor sipas policisë është shtetasi Edmond Gecaj, 30 vjeç, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e gjobëvënies, por edhe për vrasje të mbetur në tentativë ndaj një biznesmeni në 10 mars 2016. Ndërsa i arrestuari tjetër është I.B., 18 vjeç, banues në Tiranë. Në kërkim është shpallur një 35 vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, me banim në Tiranë.
Dyshohet se të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro.
“Pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, në qytetin e Tiranës. Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro”, – njofton policia.
Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona.
Materialet do t’i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim”.




