Presidenti Ilir Meta, ka reaguar sot nëpërmjet një postimi në “Facebook”, në lidhje me punët që duhet të bëjnë 61 bashkitë dhe se nuk duhet të merren me “kapjen e votës”.
Gjithashtu Meta në këtë postim, ka bashkangjitur një video të një rrugë të pashtruar në qytetin e Elbasanit, duke u shprehur se kur kjo ndodh në Elbasan, mendoni çfarë mund të bëhët në bashkitë e tjera. Në fund, presidenti bën një thirrje për qeverisjen vendore se duhet t’i përdorin taksat, për të mirat e qytetarëve dhe se nuk duhet t’i shpërdorojnë fondet.
“Është shumë e rëndësishme që 61 bashkitë, të përqëndrohen në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, dhe jo në “kapjen” e votave me pahir dhe presione ordinere me bukën e gojës. Rritja e taksave që paguajnë qytetarët, nuk u është kthyer në shërbime më të mira, përkundrazi në degradim të tyre.
Kur kjo ndodh në Elbasan, mendoni në bashkitë e tjera. Çdo zyrtar, duhet të bëjë detyrën me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve dhe komunitetit. Fatkeqësisht, reforma administrative u keqpërdor për të përqëndruar pushtetin vendor, në pak duar e jo për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
Taksat e qytetarëve, të mos keqpërdoren për të shtuar fondin e pagave për fushatë partie, por për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve. NDAL abuzimit me pushtetin vendor nga cilido”. Shkruan Meta në postimin e tij.



