Politologu Afrim Krasniqi ka bërë një krahasim mes konsultimeve të “mëdha” të partive të sotme dhe aksionit të madh politik mbi projekt kushtetutën të bërë Partia Komuniste në vitin 1976.
Sipas tij, këto konsultime të partive janë të njëjta me veprimet që bëheshin në komunizëm, pra nuk janë risi dhe as reformë, por janë kryesisht akte populiste për të legjitimuar atë që duan drejtuesit.
“Retrospektivë 1976. U zhvillua aksioni i madh politik mbi projekt kushtetutën, aksion që përfundoi “me sukses”. I gjithë populli 16+ vjeç u thirr në mbledhje pionieri, fronti, rinie, partie, lagjie, ushtrie, kolektivi, veteranësh, etj, për të aprovuar Kushtetutën e RPSSH, – Kushtetuta unike dhe natyrisht Kushtetuta më negative në historinë tonë: – një Kushtetutë që ndalonte besimin në Zot, ndalonte pronën, liritë, mendimet, organizimin dhe komunikimin me botën dhe që natyrisht na çoi në krizë, varfëri, izolim të thellë!
Në politikën & shoqërinë & Shqipërinë që duam konsultimet janë procedurë, por ka një mekanizëm tjetër konsultimi që krijon legjitimitet e besueshmëri, – quhet referendum, nuk është fjalë turpi dhe zhvillohet me votim të fshehtë duke u bazuar në votat pro & kundër opsioneve në votim”, shkruan Afrim Krasniqi.




