Pas dënimit me 3.4 vite burg/ Flet për herë të parë babai i Saimir Tahirit: Ka punuar dhe ka sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë në hak askujt. Mesazhet dhe porosia e djalit

0
72

“Si çdo prind, ndihem keq. Është fare logjike kjo punë, çdo prindi edhe sikur t’i rrëzohet fëmija në trotuar do të ndihet shumë keq. Kjo ka edhe një gjë pastaj, unë jam me kokën lart, se në fund të fundit, ai ka punuar dhe sakrifikuar shumë, nuk i ka hyrë asnjë njeriu në hak.

Nuk ka shkelur njeri në kallo, nuk ka vjedhur njeri, nuk ka vrarë njeri. Absolutisht nuk është marrë me këto veprimtari negative. Kështu që ashtu sikur ndihem keq, ndihem edhe krenar, pasi nuk i kemi bërë keq asnjë njeriu. Dhe aq më tepër që ai ka kontribuar shumë si për PS-në dhe policinë”, tha ai.

Pas dërgimit në qeli, Bashkim Tahiri tha se ka komunikuar me djalin, i cili i ka kërkuar familjes që të ruajnë qetësinë.

“Po, kam komunikuar. Duhet të ruajmë veten që t’i ngremë moralin atij”, tha ai.

Ai shton gjithashtu se ish-kolegët e Saimirit në Partinë Socialiste e kanë marrë personalisht në telefon, ndryshe nga heshtja mediatike që kanë treguar për arrestimin e ish-ministrit. “Mua më kanë marrë deputetë individualisht”-shtoi ai.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i ish-ministrit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë prove. Në maj të vitit 2018, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Zjarr Tv Ad