Beteja ligjore e 5 Majit, Kalaja rendit shkeljet e institucioneve: Argumenti më i fortë i banorëve nëse shkojnë në Strasburg

0
59

Banorët e “5 Majit” kallëzuan në SPAK kryeministrin Edi Rama, ministren Elisa Spiropali, kryebashkiakun Erion Veliaj, kreun e policisë së shtetit Gledis Nano, dhe kreun e Kadastrës Artan Lame në lidhje me shembjet e banesave të tyre në kuadër të procesit të rindërtimit.

Avokatja, Adriana Kalaja, e ftuar në Ora News tha se zanafilla e problemit janë ndryshimet ligjore të 2015 në ligjin e legalizimit.

Kalaja: Protestat e Laprakës, e Paskuqanit dhe një pjesë e Babrrusë që është bashkuar me 5 Majin kanë të përbashkët problemin kryesor që ka dalë pas ndryshimeve ligjore që janë bërë në 2015 në ligjin e legalizimit duke ndryshuar rrënjësisht parametrat nga legalizim në urbanizim që ishte më përpara në urbanizim-legalizim. Kjo është me pasoja shumë të rënda për një masë të madhe të qytetarëve në këto zona. Një nga argumentat që dhamë sot te SPAK ku kemi kallëzuar dhe kreun e Kadastrës Artan Lame është fakti se një qytetar që ka bërë aplikimin për legalizimin, ka paguar gjithë detyrimet financiare ndaj shteti, nuk ka pasur asnjë kundërshtim gjatë gjithë procedurave të legalizimit i është kthyer përgjigje negative sapo ka dalë VKM 78 e vitit 2020 që kjo zonë do të jetë zonë rindërtimi. Në fakt është vetëm fjala rindërtim sepse ne e kemi argumentuar sot në SPAK që nuk ka asnjë lidhje me rindërtimin sepse edhe vetë klauzolat që thotë kryeministri Rama në VKM është ndërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti në këtë zonë. Kush e bëri analizën sa banesa në këtë zonë janë dëmtuar nga tërmeti? Nuk ka asnjë objekt të dëmtuar nga tërmeti, asnjë raport teknik të Institutit të ekspertëve. Janë me qindra familje në tre zonat që pritet të futet projekti i rindërtimit dhe projekti i Unazës së Madhe, gati 5 mijë qytetarë që nuk kanë asnjë dritë jeshile se çfarë do ndodhë nesër.

Problemi tjetër, sqaron Kalaja, që kanë konstatuar në këtë kallëzim penal është marrëdhënia e bashkisë Tiranë që sipas VKM, ishte institucioni që do bënte procedurat e zbatimit të kësaj VKM.

Kalaja: Gjatë gjithë kësaj periudhe bashkia jo vetëm nuk ka pranuar të konsultohet me banorët e zonës, nuk i është përgjigjur thirrjes për një marrëveshje, por marrëveshja që vë në dispozicion të banorëve është pa vlerë ligjore sepse nuk ka afate, kur do sistemohen këta banorë, në çfarë lloj mënyrë do sistemohen. Shembjet janë pa bërë pa një vendim shembjeje. E përcakton ligji. Në marrëveshje ka terma që nuk rakordojnë me marrëveshjen, fillon marrëveshje me termin e “dhurimit”. Ne nuk jemi para rastit kur banorët kanë shprehur dëshirën për ta dhuruar një pronë të caktuar.

Nga ana tjetër nuk ka transparencë kush e miratoi planin e zhvillimit, kush është firma projektuese.

Kalaja: Vetëm një javë përpara kryetari i bashkisë thotë se do zbatojmë projektin italian.Kaq me fat janë qeveritarët dhe kryetarët e bashkive që u falin projektet? Një projekt i përmasave të tilla ka një kosto minimale 1.5 mln euro. Nuk mundet dot tjetri të të ofrojë një projekt kaq të kushtueshëm pas pasur asnjë interes financiar. Nuk ka asnjë tabelë, asnjë informacion, kush është firma ndërtuese. Është krijuar një shoqëri korruptive Tirana DC me aksionere 100% bashkinë Tiranë dhe kjo kompani ka të drejtën të bëjë gjithë rindërtimin e zonës së Tiranës. Ka shkelje shumë të rënda të policisë së shtetit, policisë bashkiake dhe IMT, shpërdorim detyre. Dhuna  e ushtruar gjatë shembjes nuk është proporcionale me rezistencën e banorëve. Të prishësh një pronë kur tjetri ka investuar mbi 20 vjet djersën e ballit, për ata zëre se i ke ekzekutuar. Si mund të shkojë policia e shtetit në mbështetje të IMT pa një vendim shembjeje? E drejta e pronarit përpara planit zhvillimor prevalon. Në rastin e banorëve të 5 Majit edhe nëse marrim në konsideratë se një pjesë e mirë nuk kanë legalizim, në referim të kodit civil një pronar është automatikisht pavarësisht se nuk është i regjistruar në hipotekë nëse e ka disponuar në mënyrë të qetë pronën për një periudhë 20 vjeçare. VKM është në kundërshtim me sanksionet e kodit civil.

Avokatja sqaroi edhe arsyen e kallëzimit penal ndaj Ahmetaj dhe Ballukut.

Kalaja: Kemi çuar në kallëzim penal dhe Ballukun e Ahmetajn sepse nuk jemi para rastit të shpronësimit për interes publik, ku prevalon interesi i publiku para interesit të 1 apo 10 banorëve që posedojnë një pronë. Këtu do ndërtohen disa kulla për disa banorë të prekur nga tërmeti të cilët dhe nuk janë fare në zonën e Tiranës, banorët e Thumanës pse duhet të vinë në Tiranë dhe të mos tu ndërtohet banesa apo pallati në atë zonë ku është ndërtuar. Krijojnë probleme sociale shumë të rënda dhe diskriminim njerëzor që është një nga elementët kryesorë që këta banorë nesër nëse do të shkojnë në gjykatën e Strasburgut e kanë çështjen e fituar.

Sa i takon sjelljes së SPAK, ajo thotë se me keqardhje konstaton se reagimi i Prokurorisë së Posaçme në raste të ngjashme lë shumë për të dëshiruar.

Kalaja: Nuk ka reagim fare, për të mos thënë që nuk merren vendime të cilat parandalojnë që të avancojë kryerja e veprave penale. Dhe sot kërkuam që nga SPAK të vendoset një sekuestro preventive mbi projektin italian dhe të pezullohet shembja deri në zgjidhjen e çështjes qoftë penale apo dhe ndonjë marrëveshje mes institucioneve shtetërore. Nëse SPAK do të ngrihet në lartësinë e detyrës është minimalja që mund tu jepet banorëve. Duke u zgjidhur çështja penale banorët kanë të drejtë ti drejtohen gjykatës për shpërblim për gjithë pasojat e shembjes në një zonë që sipas ligjit nuk duhet bërë.

Zjarr Tv Ad