Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho, i cili disa ditë më parë dha dorëheqjen nga komisioni hetimor për inceneratorët, ka treguar më shumë detaje rreth këtij vendimi.
Në një intervistë për A2CNN, Spaho tha se në këtë komision po bëhen përpjekje për të mbrojtur hajdutët, ndërsa shtoi se nënkryetarja e komisionit Ermonela Felaj është në konflikt interesi, pasi ajo ka firmosur dhe ka marrë pjesë në procedurat e dhënies së koncesionit.
“U largova nga komisioni hetimor parlamentar për shkak se nuk u lejuan dy gazetarë për të dëshmuar. Mazhoranca, pa argumente, duke përdorur pozicionin e saj, nuk i lejoi gjoja për konflikt interesi. Në fakt, gazetarët kanë mbrojtur interesin publik, madje edhe duke rrezikuar.
Ishte e turpshme mënyra se si veproi mazhoranca dhe për këtë mendova që nuk kam pse rri në komision, sa kohë që aty bëhen përpjekje për të mbrojtur hajdutët.
Edhe nënkryetarja e komisionit ka konflikt interesi, pasi ka firmosur dhe ka marrë pjesë në procedurat e dhënies së koncesionit. Gjatë gjithë viteve të mia në politikë, kam parë që komisionet hetimore kanë dështuar me turp. Mënyra se si funksionojnë, nuk të lejon që të bësh hetime të vërteta”, shtoi Spaho.




