Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka marë pjesë në Komisionin Hetimor të ngritur për inceneratorët ku është pyetur lidhur me aktet që ky i fundit ka firmosur sa i përket këtyre koncesioneve.
Agaçi si fillim mohoi të njihte apo të ishte takuar ndonjëherë me shtetasin Klodian Zoto ndërsa më tej tha se Këshilli i Ministrave nuk i kishte miratuar projek-aktet që thuhen nëpër media.
Ëngjëll Agaçi: Nuk e njoh dhe nuk jam takuar kurrë me Klodian Zoton. Faleminderit që më thirrët në këtë Komision dhe që më dhatë mundësinë të flas për këtë çësghtje ndaj së cilës hidhet kaq shumë baltë. Është thënë padrejtësisht se Këshilli i Ministrave ka dhënë një autorizim për këto procedura, ky fakt nuk është i vërtetë.
Ju lutem më lini pak kohë ta mbaroj. Unë nuk jam një politikan, hera e parë që kam mundësi të sqaroj këtë gjë. Ajo që ka më shumë rëndësi, për këtë komision hetimor është që Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar kurrë projekt-aktin ku ju u referuat. Nuk është propozuar kurrë për shqyrtim dhe prandaj nuk është miratuar kurrë. Është shumë e thjeshtë për ta verifikuar.




