Deputeti demokrat Ervin Salianji foli mbrëmjen e sotme për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Ai u shpreh në një intervistë në “A2Cnn” se i ka kërkuar publikisht Lulzim Bashës që të dorëhiqet.
“Kërkesën Bashës ia ka bërë publikisht që të dorëhiqet. Nuk ka pasur ndonjë reagim. Ajo që është për t’u theksuar, të cilën e kam vënë re edhe në fushatë elektorale, është aciditet, një masiv njerëzish që nuk e pranojnë dot Lulzim Bashën.
Ai mund të jetë një personalitet politik i rëndësishëm, mund të jetë i shkolluar, mund të jetë një njeri i mirë, por është në krizë besimi të thellë me demokratët. Gjysma e votuesve opozitarë që kanë votuar opozitën në 25 prill, nuk dolën të votojnë”, u shpreh deputeti Salianji.
Sipas tij zgjidhja më e mirë për partinë, por edhe për kryedemokratin do të ishte dorëheqja, ndërsa i bëri thirrje edhe ish-kryeministrit Sali Berisha që të largohet në mënyrë që PD të shërojë plagët.
“Nuk shoh asgjë dramatike te dorëheqja e Lulzim Bashës. Ky është një hap që i lejon demokratët të bashkohen, të krijohen mundësi për t’u bashkuar. Në këtë situatë i lind e drejta secilit prej nesh që në situatën e një konflikti ku edhe shtëpia e lirisë nuk arriti të fitonte, ku mori një numër të vogël votash…
Pas dorëheqjes së Bashës, duhet bërë çdo përpjekje që secili që është larguar nga PD të kthehet. Unë i bëj thirrje edhe Sali Berisha të tërhiqet që PD të shërojë plagët e saj dhe të jetë konkurruese në zgjedhjet që do të vijnë”, tha Salianji.




