Ish-kryetar i KQZ Kristaq Kume komentoi sot procesin e nisur për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Kume tha se faza përgatitore për zgjedhjen e kreut të shtetit ka nisur ndryshe nga herët e tjera, duke u shprehur se propozimet me zarf të mbyllur janë çështje e brendshme e PS.
Kume tha për MCN se nuk duhet të paragjykohet kryeministri Rama kur shprehet i hapur që të miratojë një kandidaturë presidenciale nga opozita, nëse është e paqortueshme.
“S’ka asnjë mundësi për t’u qortuar si deklaratë, i referohet asaj çfarë kërkon Kushtetuta të bëhet. Derisa Kushtetuta kërkon në tre raundet e para të bëhet me konsensus. Është thënë edhe më parë që nëse më vjen një kandidaturë që nuk e qortoj e votoj. Të thuash që nuk do bëhet kështu është ta paragjykosh. Kjo ftesë e kryetarit të mazhorancës që të marrë pjesë opozita në proces, s’ka pse të goditet, të konsiderohet vetëm si një gjasme. Të mos marrësh pjesë në proces do të thotë të mos zbatosh atë që të ka dhënë mandati”, deklaroi Kume.
Po ashtu Kume tha se Enkelejd Alibeaj është kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe mazhoranca nuk ka kë të thërrasë tjetër për bisedime, përpos atij.
“Këtu do marrin pjesë institucionet që janë drejtuesit e grupeve parlamentare. Alibeaj është kryetar i grupit parlamentar i PD, nuk ka kë të thërrasë tjetër. Kryetar është ky dhe s’ka tjetër. Nuk e ka zgjedhur mazhoranca, por shkon atje në funksion të detyrës që ka”, tha ai.
Ish-kreu i KQZ tha se nëse Presidenti do të zgjidhet nga populli, qytetarët s’do jenë indiferent dhe zgjedhja do jetë më pak e atakueshme.
“Unë lexoj faktin që nëse politika do ndryshojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit nga populli, qytetarët s’do jenë indiferent. Zgjedhja do jetë shumë më pak e atakueshme. I zgjedhur me votat popullore do ketë unitetin e popullit, mbi palët. Nuk i besoj shumë artikulimit të mazhorancës. Unë do të ftoja të gjithëve të lexojmë këtë fakt, shoqëria është në pjekje të mendimit të saj për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Roli i shoqërisë civile nuk vendos në rezultatin përfundimtar të procesit”, tha Kume.
Kume u shpreh se do të ishte mirë që Presidenti i ri të mos vinte nga politika.
“Është artikuluar edhe një mundësi tjetër të kemi të njëjtin Kryeministër dhe President. Se mund të jetë grua apo burrë është diskutim spekulativ, për mua ka rëndësi personaliteti dhe gjinia. Targi duhet të jenë njerëz që s’kanë qenë pjesë e politikës. Do ishte shumë më mirë të ishte jo nga politika, kemi njerëz me integritet të plotë, që mund ta realizojnë punën shumë më mirë që s’kanë backround politik”, u shpreh ai.
Ish-kreu i KQZ tha se si model Alfred Moisiu dallon nga të tjerët, duke iu referuar edhe perceptimit qytetar.




