Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në cilësinë e Presidentes të Sesionit të 71-të të Komitetit Rajonal të Europës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, hapi Sesionin Special të këtij Komiteti, në një seancë të jashtëzakonshme, që po mbahet në Kopenhagen të Danimarkës, për emergjencën shëndetësore në Ukrainë dhe në vendet fqinje.
Sesioni special i Komitetit Rajonal të Europës e OBSH-së, në rend të ditës ka çështjen e sjellë për diskutim me kërkesë zyrtare të vendeve anëtare, “Impakti i agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës në kushtet shëndetësore në Ukrainë, si edhe pasoja e aspekteve shëndetësore brenda Rajonit Evropian në tërësi dhe aspektet ndërkombëtare shëndetësore që kanë një ndikim më të gjerë rajonal”.
Gjatë fjalës hapëse në këtë seancë të jashtëzakonshme, Manastirliu tha se Komiteti Rajonal do të shqyrtojë draft-rezolutën, në lidhje me aspektet ndërkombëtare të emergjencës shëndetësore në Ukrahinë dhe përtej.
Komiteti Rajonal sot, do të ftohet të marrë në konsideratë një projekt-rezolutë e cila parashtrohet nga 36 shtete anëtare nga Rajoni Evropian i OBSH-së, ‘ËHA75: Emergjenca shëndetësore në Ukrainë dhe në vendet fqinje, që është krijuar nga agresioni i Federatës Ruse. Sikundër përcaktohet edhe në kërkesë dhe në projekt-rezolutë, Komiteti Rajonal ftohet të veprojë, sipas rolit të përcaktuar në Nenin 50(e) të themelimit të OBSH, për të këshilluar OBSH-në (përmes Drejtorit të Përgjithshëm) në lidhje me aspektet ndërkombëtare të emergjencës shëndetësore, rëndësia e së cilës i kalon kufijtë rajonalë”, tha Manastirliu.
Duke folur në Sesionin Special që po zhvillon punimet në Kopenhagen, Drejtori i OBSH-së për Europën, dr. Hans Kluge tha: “Sot ne kemi nevojë për unitet pan-evropian, tani më shumë se kurrë, në përputhje me moton e Programit Evropian të Punës të OBSH-së ‘Veprime të Përbashkëta për Shëndet më të Mirë’. Ne besojmë se progresi mund dhe duhet të arrihet ende, nëpërmjet angazhimit në dialog konstruktiv dhe angazhohem se, veçanërisht në këto kohë të errëta, askush nuk do të lihet pas.
Me kërkesë të përbashkët të 43 shteteve anëtare të Rajonit Evropian të OBSH-së, sesioni special që po mbahet nga Komiteti Rajonal i OBSH-së për Europën në Kopenhagen, ka në fokus situatën shëndetësore në Ukrainë, si rrjedhojë e agresionit të Federatës Ruse dhe pasojat që ka kjo situatë në rajon dhe më gjerë.




