Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka zhvilluar sot një takim me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Temë e diskutimeve ishte financimi për futbollin, ndërsa Ligji i Sponsorizimeve, Bastet Sportive dhe futbolli i femrave kanë qenë në fokus. Së bashku me Dukën në takim morën pjesë edhe presidentë nga Superligë.
“Mundohemi të japim alternativat tona për rritjen e futbollit. Ligji i sponsorizimit ka efektet e veta për shtimin e sportistëve, rritjen e kushteve dhe zhvillimin e futbollit të femrave në Shqipëri. Kërkojmë mbështetje financiare. Na u premtua nga ministrja se do vazhdojmë takime për këtë ligj, për t’i propozuar qeverisë një variant.
Ligji i sponsorizimit, bastet sportive dhe një fond minimal për edukimin e fëmijëve, këto janë temat që u zhvilluan sot në takim.
Nga buxheti i ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nuk ka pse përjashtohet FSHF me idenë se futbolli është i pasur. Duhen kushte dhe terrene sportive për moshat. Prej disa kohësh kemi projektin “Topi im”, ku japim topa falas për çdo ekip që luan futboll. Nga korriku i këtij viti do kemi edhe uniforma falas dhe kërkojmë ndihmë nga minsitria”, tha Duka mes të tjerash.




