Gazetari Arjan Çani, komentoi zhvillimet e fundit në parlament, ku ministrja e Jashtme Olta Xhaçka mbrojti bashkëshortin e vetë Artan Gaçi për një investim me status investitor strategjik në bregdet.
Çani tha se çështja nuk duhet shtruar a duhet besuar apo jo, por a është trafik infuluence hoteli që Gaçi ka marrë në jug. Duke folur për MCN, ai tha se SPAK gjithsesi nuk ka një hapësirë lirie kaq të madhe sa të vendosë vetë për fatin e një ministreje e një personazhi publik të një rëndësie të tillë.
“Loja është më e madhe të gjithë ata njerëz në pushtet me ose pa përgjegjësi janë në listën e Ramës për tu djegur, do digjen. Nuk e shoh Xhaçkën te lista e kuqe e Ramës, ka profil modest politik.
Nuk besoj se do e digjte kaq kollaj pas akuzave të politikës. Bashkëshorti i sotëm i Xhaçkës, Artan Gaçi, ka qenë biznesmen që në vitet ‘90-të, nuk hyn te ata personazhe që hapin një NIPT 3 muaj pak përpara.
Mendoj se duhet parë më me detaje nëse ka shkelje apo jo. Në vende me standarde demokratike ku standardi i demokracisë është shumë i lartë, në Gjermani apo Francë, do ishte një ngërç për çdo ministër, nëse do dilte një lajm i tillë.
Në vende si Shqipëria apo Italia e jugut, në vende të Europës ku ka shumë diell, këto gjëra nuk është se janë shumë tabu. Brenda kontekstit shqiptar, nuk është ndonjë skandal i madh”, tha ai.
Lidhur me akuzat e deputetit demokrat Agron Shehaj i cili shprehet se këtë akt nuk e lejon Kushtetuta dhe se ministrja është në konflikt interesi, Çani deklaroi se këtu rrezikohet mandati i çdo ministri nëse Rama vendos ta djegë:
“Këtu ka vetëm një njeri të plotfuqishëm dhe pas tij vjen Veliaj, të cilët kontrollojnë drejtësinë. Është Rama dhe pastaj Veliaj. Nëse Rama mendon se Xhaçka nuk i duhet më, e djeg, me apo pa përgjegjësi, jemi në këtë nivel.
Disa nga personazhet që sot janë ose në burg ose me procese të hapura, janë personazhe që Rama i ka lëshuar.”
I pyetur nëse do zbardhen ndonjëherë pasuritë e politikanëve dhe nëse do të ketë sekuestroa ndaj tyre, deklaroi se është tentuar kjo gjë të bëhet në Itali, kur hyri në një epokë të tmerrshme të luftës kundër korrupsionit me dy prokurorët të famshëm, por shtoi se nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe:
“E shoh shumë të vështirë. Këtu mund të ketë gjueti shtrigash, që njëri klan për të goditur tjetrin i çon në SPAK. Kjo bëhet se këta mund të zihen me njeri tjetrin. Kjo mund të ndodh nëse rivali i Ramës, Veliaj a ndonjë tjetër. Nëse Rama ndjen rrezik, atëherë do veprojë drejtësia, për të marrë flamurin e anti-korrupsionit.
Qëllimi pse bëhet kjo nuk është aspak fisnik, por politik.
Politika në Shqipëri është një xhungël ku në momentin që rrezikohet karriera personale e liderit, përdorin drejtësinë si një zgjatim në forma represive i politikës”. Sa i takon Saimir Tahirit, Lefter Kokës apo Alqi Bllakos që janë në burg dhe që kontrolli i pasurive nuk iu është bërë, Çani tha se në një vend si Shqipëria mjafton ideja që një ministër apo ish-ministër është në burg dhe me kaq mjaftohen të gjithë:
Vetëm nëse një nga këta personazhe do fliste gjëra, atëherë prokuroria do verifikonte pasurinë e tyre. E gjitha varet nga sjellja e tyre. Unë të dënoj të fus në burg, por nuk mbaron me kaq. Ndaj sillu mirë! Dimë dhe këtë muhabetin atje. Nuk mund të ishte ndryshe.”
Ndërsa argumentimi i përgjegjësisë personale, sipas Çanit është i vetmi argument me të cilin mund të luajë Edi Rama.
Sipas tij, është i vetmi argument që Ramën e nxjerr të pa lagur:
“Vërtetë është i plotfuqishëm, por nuk është kaq naiv sa të lërë gjurmë, edhe nëse ka bërë shkelje me bashkëpunëtorët e tij.
Është shumë vështirë të kapësh Edi Ramën në gjëra kaq të mëdha. Të kesh mundësi ta shantazhosh liderin me fakte dhe prova mua më duket e vështirë”.




