Disa orë pas tensionimit të situatës, në orët e paradites së të hënës së 1 Gushtit ka nisur tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës, raportojnë mediat vendase. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Mirëpo një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak. Përveç barrikadave në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u keqtrajtuan në kufi.
Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës. Ky vendim i Qeverisë për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.
Policia e Kosovës konfirmon se pati lëndime të qytetarëve në veri
Policia e Kosovës ka thënë më 1 gusht se gjatë mbrëmjes të së dielës janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë, “janë ndaluar dhe keqtrajtuar”. Sipas Policisë, këtyre qytetarëve u janë shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre. Policia ka konfirmuar, po ashtu, se më 31 korrik pas bllokimit të rrugëve në veri, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore.
“Si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim”, thuhet në njoftimin e Policisë. Sipas njoftimit, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar nga radhët e pjesëtarëve të Policisë.
Burimi: Telegrafi




