Greqia i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ku përmenden deklaratat e presidentit turk, Recep Tayip Erdogan.
Në letrën drejtuar Stoltenberg dhe Borrell, e firmosur nga ministri i Jashtëm Nikos Denidas, deklaratat e Erdogan janë cilësuar si “të papranueshme dhe fyese” për kombin grek.
“Natyra dhe toni i tyre qartazi kërcënues është më se i dukshëm. Kjo retorikë shoqërohet me një rritje të incidenteve të shkeljeve të sovranitetit kombëtar në Egje dhe në Mesdheun juglindor .Në fakt, vitet e fundit, Turqia ka ndërtuar një axhendë revizioniste përmes një taktike propagandistike që vë në pikëpyetje status quo-në rajonale, siç përcaktohet nga traktatet, duke rrezikuar kështu sigurinë dhe stabilitetin rajonal ,” shkruhet mes të tjerash në letër.




