Princ Leka Zogu shkruan për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq mbrëmjen e djeshme në Kalanë Balmoral, në moshën 96 vjeçare. Njoftimi u dha nga vetë familja Mbretërore.
Përmes një fotoje të veçantë, ku Mbretëresha shfaqet me shenjtoren Nënë Tereza, Princ Leka shpreh ngushëllimet për Elizabeth II. Ai shkruan se monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar kishte lidhje gjaku me Mbretëreshën Geraldinë, edhe ndonëse prej së largu.
Shkruan Princ Leka Zogu:
Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeth II, prehet sot në paqe pas më shumë se 70 vitesh në shërbim ekskluziv të shtetit, të popullit britanik dhe të 14 kombeve të Commonwealth anembanë rruzullit që e njihnin për sovranen e tyre. Dëshmi e gjallë e mishërimit të sovranitetit kombëtar në aspektin e vet më përbashkues, Elizabeth II përfaqëson mesazhin e pakohshëm të vazhdimësisë së shtetit, të Kurorës, që qëndron i palëkundur me përkushtim dhe vetëdije përballë sfidës dhe pasigurive.
E lidhur prej gjakut, ndonëse prej së largu, me Mbretëreshën Geraldinë, ajo do te mbetet një mentor për këdo aspiron t’i shërbejë interesit kombëtar, kudo ku ndodhet, dhe madheshtisë së shtetit që është streha dhe mburoja e shoqërisë.
Më pëlqen që këtë homazh ta shoqëroj me fotografinë e çastit intim kur Mbretëresha dekoroi shqiptaren e madhe Nënë Terezën me Order of Merit, në vitin 1983. Zoti e pranoftë në mëshirën e tij dhe i priftë mbarë Madhërisë së Tij Britanike, Mbretit Charles III.




