Gjykata e Apelit në Tiranë pritet të zhvillojë sot seancën e radhës për gjyqin ndaj deputetit të PD Ervin Salianji. Ky i fundit është dënuar me një vit burg për dosjen “Babale”, që lidhet me përgjime të bujshme të publikuara pak vite më parë.
Sipas togave të zeza të Shkallës së Parë, përgjimet kanë qenë të inskenuara dhe Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg. Këtë masë dënimi deputeti demokrat e ka ankimuar në Gjykatën e Apelit, ku gjyqi është shtyrë për të disatën herë.
Në ambientet e jashtme të saj, sot janë shfaqur një numër i madh deputetësh demokratë, ata të grupimit të drejtuar nga Sali Berisha dhe ata të grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Pavarësisht ndasive politike që kanë, sot ata janë bërë bashkë për kolegun e tyre dhe do të jenë në sallën e gjyqit.
Deputetë Luçiano Boçi, Luan Baçi, Zef Hila, etj, të Rithemelimit janë bërë bashkë me deputetë si Gazmend Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Sajmir Korreshi dhe Arbi Agalliu të grupit Alibeaj, dhe qëndrojnë në kafe së bashku me Salianjin.
Nëse Gjykata e Apelit lë sot në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, atëherë Ervin Salianji detyrohet të vuajë një vit burg. Sipas ligjit, deputeti i PD nëse shpallet fajtor edhe në Apel, vendimi bëhet i ekzekutueshëm dhe ai prangoset në sallën e gjyqit. Ervin Salianji po ashtu, humbet mandatin.




