Mëngjesi i 26 nëntorit i vitit 2019, ishte një mëngjes i zi për të gjithë shqiptarët. Vendi ynë u trondit nga një tërmet i pabesë, i pamëshirshëm, i cili nuk kurseu, gra, të moshuar madje dhe fëmijë të cilët sapo kishin filluar të thurnin ëndrrat për jetën e tyre, ëndrra të cilat u prenë në mes nga lëkundjet e tmerrit.
51 qytetarë humbën jetën, duke lënë pas një dhimbje të madhe jo vetëm te familjarët e tyre por në çdo familje shqiptari.
Të madhi dhe të vogli i dhembi shpirti për këtë tragjedi dhe ndonëse kanë kaluar tre vite, zemra lëviz vendit kur në mendje të vijnë lotët, thirrjet për ndihmë, të atyre njerëzve që po luftonin për të mbajtur shpresën gjallë se dikush do t’i shpëtonte nga betoni i shtëpive të tyre.
Edhe pse tre vite më pas, të gjithëve na shfaqen para syve pallatet e shembura, shtëpitë, shkollat, thirrjet dëshpëruese të familjareve qe të afërmit i kishin nën rrënoja, sirenat e autoambulancave, policisë, zjarrfikësve, ushtrisë, të cilat ushtonin ngado.




