Pacolli letër publike Kurtit, hedh akuza të shumta ndaj tij: Kokëfortësia me kauza të rreme po e izolon Kosovën

0
25

Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Pacolli ka përmendur çarjen e raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe mos-koordinimin e kryeministrit me aleatët.

Kjo thotë ai po ndodh për shkak të “kokëfortësisë dhe mungesës së vizionit politik dhe pragmatik të ndërtuar historikisht mbi gënjeshtrat politike të dekadave të fundit me kauza të rreme politike për demarkacion, dialog me Serbinë dhe mbi të gjitha për rrugëtimin shtetformues të Kosovës, sot Kosova është sjellë në këtë gjendje të izolimit, polarizimit dhe frikësimit autoritar. Veprimet tuaja të pakoordinuara me aleatët, term me të cilin e keni bërë shaka dhe keni sulmuar çdo kohë, po e dëmtojnë Kosovën”.

Pacolli theksoi se Kosova ka funksionuar mbi këtë parim të shenjtë të kordinimit me aleatët që është shtylla e pavarësisë dhe lirisë, ndërkaq thotë se moskoordinimi me SHBA-në dhe partnerët evropianë është ahistorik për Kosovën, është e kundërta e asaj që është ndertuar për mbi 3 dekada luftë për liri dhe pavarësi.

“Sot, ju si kryeministër i shtetit më të ri në Evropë, veprimet tuaja ahistorike po e dëmtojnë Kosovën në perspektivë afatgjatë”, deklaron Pacolli në letër.

Pos tjerash, Pacolli përmend edhe vonesën e hapjes së Spitalit të Fëmijëve në QKUK dhe bllokimin e mjeteve mjekësore në doganë.

“Në dy vitet e fundit kam parë mosfunksionim të shtetit dhe të institucioneve, duke refuzuar bashkëpunimin në interes të Kosovës. Për shkakun tuajin z. kryeministër u vonua hapja e Spitalit të Fëmijëve në QKUK, ku u bllokuan instrumentet mjekësore në doganat e Kosovës, të cilat nuk ishin objekt doganor apo i taksavë, por adresimi i shumë letrave tek ju ra në vesh të shurdhër, sepse nuk kishte asnjë rezultat apo përgjigje fare. Pajisjet ishin dëmtuar nga lagështia në depot doganore dhe ndërrimi i tyre ka qenë i kushtushëm dhe ka shkaktuar vonesa të paarsyeshme”, thotë më tej ai.

Po ashtu përmendi sjelljen e njohjës së fundit, për të cilën thotë se mosveprimi konkret e ka dështuar finalizimin.

“Dëgjojmë shpesh se si jeni i përkushtuar në betejën diplomatike kundër Serbisë, kështu duhet të jetë për një kryeministër të Kosovës dhe kështu ka qenë gjithmonë. Por në një rast kam sjellë një delegacion nga një vend që kishte vendosur ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ata u takuan me ju dhe Presidentin e Republikës, por diplomacia për të finalizuar njohjen e Kosovës mungoi dhe asnjë hap veprim nuk u ndërmor nga qeveria juaj për ta finalizuar atë. Një rast tjetër ishte kur dy shtete, pas vizitave të mia atje, njohën pasaportën e Kosovës si hapin e parë drejt njohjes së Kosovës dhe hapën rrugën për këtë”, ka thënë Pacolli.

Zjarr Tv Ad