E premte, Korrik 31, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Tahiri dhe një ministër sot në Prokurori, ja për çfarë do pyeten

Tahiri dhe një ministër sot në Prokurori, ja për çfarë do pyeten

0
905
Zjarr Televizion Adccccc

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pritet të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarime para dy prokurorëve që po hetojnë dosjen e Emiljano Shullazit.

Tahiri është thirrur për të dhënë shpjegime një javë pas marrjes në pyetje të drejtorit të Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Zyrtarët e lartë po merren në pyetje nga Prokuroria në lidhje me ngjarjen e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule, në prill 2016.

Dyshohet se dy akademikët janë kërcënuar nga ana e Emiljano Shullazit dhe grupit të tij në kulmin e zgjedhjeve për në universitete. Ish-ministri i Brendshëm pritet të paraqitet te Krimet e Rënda ditën e premte, rreth orës 10:00.

Burimet nga hetimi kanë thënë se pas pyetjes së kreut të Policisë së Tiranës, grupi i hetimit vendosi marrjen në pyetje të Tahirit. Për këtë arsye, Prokuroria kontaktoi me ish-ministrin në telefon dy herë duke e ftuar të paraqitet në cilësinë e deklaruesit. Por Tahiri kërkoi që thirrja t’i bëhej me shkrim dhe për këtë arsye, organi i akuzës ia dërgoi me dokument fletëthirrjen ish-ministrit.

Ky i fundit ka vendosur që t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë ditën e sotme. Pas dëshmisë së Tahirit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pritet të paraqitet rreth orës 10:30 edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Nikolla, ashtu sikurse Tahiri, do të merret në pyetje në lidhje me kërcënimin e rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule.

Këta të fundit, mësohet se, pasi janë kërcënuar në mesin e muajit prill pranë rektoratit, dhe kanë njoftuar Policinë. Më pas me ta ka marrë kontakt drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit bashkë me dy rektorët kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku kanë shpjeguar ngjarjen që u kishte ndodhur. Tahiri u ka premtuar rektorëve angazhimin e Policisë për zbardhjen e ngjarjes.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila kishte marrë kontakt me rektorët duke mësuar prej tyre ngjarjen e ndodhur. Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule.

Pavarësisht se Berisha akuzoi Shullazin, në asnjë moment rektorët nuk e kanë identifikuar të dyshuarin si autor të ngjarjes. Pavarësisht kësaj, Shullazi u shoqërua në Policinë e Tiranës atë ditë, ndërsa në mbrëmje, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin, shkruan 360 gradë.

Emiljano Shullazi u arrestua bashkë me Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve.

Zjarr Tv Ad