Nga Mimoza Hajdarmataj
Dikur Pleniumi votonte unanim urdhrat e Partisë-shtet për ekzekutimin e elitave, të grupit të deputetëve; votonte për konfiskimin e pasurive, për eliminimin e zërave kundër regjimit diktatorial derisa arriti në instalimin e plotë për afro gjysmë shekulli të diktaturës më të egër në Europë.
Sot, partia e etërve, votoi për asgjësimin e opozitës.
Seanca e sotme çeli siparin e historisë së kalimit nga pluralizëm në monizëm, nga demokraci në demonizëm politik.
Kjo mazhorancë, nën urdhrat e Edi Ramës, pikërisht këtë ka si qëllim në vetvete, fikjen e opozitarizmit si frymë, jo thjesht arrestimin e Berishës si individ.
Kush e kupton thjesht si një ngjarje të rëndë për Sali Berishën gabohet rëndë dhe bie në kurthin e propagandës së shëmtuar dhe të rrezikshme të partisë shtet.
Apeli im jo vetëm politik, por mbi të gjitha moral dhe social është t’i bëjmë rezistencë me çdo kusht këtij sistem fashist për demokracinë dhe të rrezikshëm për çdo drejtim.
Të rinjtë po e braktisin me shpejtësi vendin sepse shohin pamundësinë për punësim normal, shkollim, argëtim dhe aq më pak për paga të mira. Atyre që kanë mbetur këtu po iu mbyllen dyert dhe çdo shteg për të gjetur drejtësi, zgjidhje të halleve dhe problemeve, shërbime publike etj.
Shqipëria është katandisur me një milion e gjysmë banorë ku gjysma janë pensionistë.
A do t’i dalim zot lirisë dhe demokracisë të fituar me aq vetëmohim, vuajtjet sakrifica, me heronj e martirë ndër breza?
Nëse nuk reagojmë sot, nesër do jemi dëshmitarë dhe bashkëvuajtës të një diktature të re.




