Kreu i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka denoncuar mbrëmjen e djeshme një kërcënim me armë që sipas tij është bërë ndaj kandidates për deputete, Valbona Myhedin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lapaj tregon se kandidatja ka qenë duke zhvilluar takime me qytetarët në lagjen nr. 8, në shkollën Eftali Koçi ku po ndante programin elektoral.
Lapaj e cilëson ngjarjen një akt burracak, teksa paralajmëron se ky rast nuk do të kalojë në heshtje.
Postimi i plotë:
“Pak minuta më parë, anëtarë të krimit të organizuar në Durrës kanë kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”.
Valbona Myhedin, shtetase amerikane, është përballur me një akt burracak frikësimi, që nuk do të kalojë nën heshtje.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë menjëherë, ndërsa do vëmë në dijeni Ambasadën Amerikane.”
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Policia e Durrësit, e cila shprehet se ka vënë në pranga 45-vjeçarin.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
Në lidhje me një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale nga shtetasi A. L., drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, se një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete të këtij subjekti, znj. V. M., dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, sqarojmë se:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga z. A. L., menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.
Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, znj. V. M.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases V.M për të kërcënuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike dhe vetëm në shërbim të ligjit.




