Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në qelitë e burgut të Durrësit, Erion Veliaj, dje ka bërë një reagim publik të gjatë duke kërkuar pavlefshmërinë e akteve hetimore.
Mjafton të lexosh fletën që nuk ka as firmën dhe as vulën e avokatëve e as firmën e tij, sepse ende nuk ka asnjë sqarim publik se kush e ka firmosur atë dokument për të kuptuar se me çfarë paçavure kemi të bëjmë.
Duket qartë se Erion Veliaj vazhdon me strategjinë e tij propagandistike duke lënë mënjanë përballjen me faktet e provat e nxjerra nga SPAK-u dhe kërkon të shpëtojë me forma proceduraliste apo siç bërtiti me muaj të tërë për burg pa akuzë dhe tani që ka akuzë thotë fajin e kanë hetimet.
Për më tepër fajin e ka fraksioni.
Por askush nuk thotë a është e ligjshme hapja e një fraksioni, e një dosjeje tjetër hetimore apo jo?
Gjithsesi, ajo që binte në sy në shumë pika të përmendura nga Erion Veliaj si kontestime ndaj hetimeve ishte përmendja e një prokurori të vetëm, e Ols Dados.
Dihet që prej muajsh ai ka qenë target i sulmeve të urdhëruara nga kryebashkiaku i Tiranës, të cilat i pamë në përgjime ku urdhëronte të shkruhej se ishin kërkuar 2 milionë euro për ta nxjerrë nga burgu, që rezultoi një gënjeshtër e madhe, kjo e përsëritur edhe nga mediat që sot i mbajnë ison Erionit, kryesisht nga gazetari Mero Baze.
Në fakt, në të gjithë sulmin që bëhet ndaj Ols Dados, ku qëllimi kryesor është që të shpallet një konflikt interesi mes tij apo një inat personal me Erion Veliajn, është theksuar një leje pallati e kërkuar nga një ndërtues në një pronë të zotit Dado, e cila nuk ka asnjë kontestim, është dhënë nga Veliaj, që në atë kohë kur plasi debati gjithçka u sqarua, u pranua se leja kishte qenë e rregullt dhe prokurori nga ana e tij e kishte falënderuar Erion Veliajn.
Më pas ky i fundit, kryebashkiaku i Tiranës, shpiku shtesa katesh, të cilat nuk i kishte miratuar Erion Veliaj, pra ishin refuzuar. Deri më tani nuk i kemi parë as kërkesën e Ols Dados dhe as refuzimin e Erion Veliajt.
Po Altin Dumanin pse nuk e përmend Erion Veliaj?
Presim t’i shohim, por në të gjithë renditjen e sulmeve që bëjnë ndaj Ols Dados për të rrëzuar kërkesat e bëra ndaj tij, Erion Veliaj harron emrin e dytë, Altin Dumanin.
CNA e ka përmendur shpesh, në dosje nuk është një prokuror, janë dy.
Është kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i cili ka firmosur çdo dokument, çdo akt procedural hetimor.
Një çështje që është me dy prokurorë firmosin të dyja palët, por Veliaj që në fillim zgjodhi të mos e sulmonte Dumanin, targeti ishte Ols Dado, që ky i fundit të jepte dorëheqjen dhe të ikte nga hetimet.
Kjo nuk ndodhi. Ols Dado ka mbajtur mbi supe sulmet, por frikacaku Veliaj nuk ka shkuar ende te sulmi ndaj Dumanit.
Veçse ka zgjedhur Mero Bazen dhe mediat e tij që të sulmojnë SPAK-un si institucion duke e përzier me lloj-lloj prokurorësh aty brenda, të cilët flenë mbi dosje, siç është rasti i Dritan Prençit me inceneratorët. Prokuror që nuk heton. SPAK-u sot ka standardin “Dumani” në hetime dhe standardin që do Veliaj, ai i Prençit.
Në rastin e Veliajt strategjia duket që të jetë linja e përgjimeve, por ka një detaj shumë thelbësor.
Erioni mund të kërkojë të dorëhiqet Ols Dado, mund të na nxjerrë edhe ndonjë dokument a ndonjë shpikje tjetër për ta larguar nga hetimi, po me Altin Dumanin çfarë do të bëjë?
Se ja iku Ols Dado, po me Altin Dumanin që ka qenë bashkëprokuror për hetimin e kësaj dosjeje?
Këto janë qesharake për t’u menduar dhe janë qesharake si zgjidhje sepse edhe po iku një prokuror, prokurori tjetër ka kryer të gjitha aktet hetimore në përputhje me ligjin.
Strategjitë e kryebashkiakut të Tiranës, duke sulmuar njërin prokuror dhe duke lënë tjetrin tregojnë një lloj frike apo paniku dhe mospërballjen me të vërtetën.
Veliaj ka të drejtë të gënjejë se ai po mbrohet, por ai po mbrohet duke sulmuar, akuzuar, duke shpifur apo mashtruar dhe për më shumë sesa halli për t’u përballur me drejtësinë pas 13 akuzave tani ka hallin e fraksionit, dosjes ku po hetohet vëllai i tij dhe paratë në vlera miliona euro që kanë qarkulluar për interesat e Erion Veliajt.
Thelbi është, duhet standardi “Dumani” apo “Prençi” për SPAK-un si institucion?! Veliaj do të dytin./ Marre nga CNA




