Behgjet Pacolli: Ja arsyeja pse vizitova Edi Ramën në Kryeministri

0
170

Ish-presidenti i Kosovës dhe miliarderi Behgjet Pacolli ka përgënjeshtruar lajmet e djeshme pas publikimit të një dokumenti të lëshuar nga kompania në pronësi të tij, “Mabco Constructions SA”, ku vendosej “fati” i 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës.

Në vendim konkretisht shkruhej: “Sot me date 21.08.2025, shoqeria Mabco Constructions SA ortake ne shoqerine “Vlora International Airport -VIA” sh.p.k vendosi kufizimin e çdo transferimi pronesie (te kaluar, te tashem apo te ardhshem) te kuotave te zoteruara nga Mabco ne kapitalin themeltar te VIA, deri ne nje vendimmanje te dyte, dhe te regjistrimit te tyre ne Qendren Kombetare te Biznesit“.

Pra, në mbledhjen urgjente të zhvilluar në Lugano të Zvicrës nga ortakët e kësaj kompanie, u vendos që asnjë aksion i aeroportit të Vlorës të mos shitet apo transferohet, një formë kjo për të mos lejuar marrjen e aksioneve nga një tjetër palë, që sipas pretendimeve është shtetit shqiptar. Këto e të tjera janë nxitur nga një vizitë e befasishme e Pacollit në kryeministri tri ditë më parë.

Në një reagim, Behgjet Pacolli ka shkruar se vizita e tij në zyrën e Ramës është zhvilluar për kortezi për të informuar mbi ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës. Duke përgënjeshtruar lajmin, ish-presidenti kosovar sqaron se punimet janë drejt përfundimit dhe se kompania “Macbo” “ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal”, shkruan Pacolli.

Reagimi i Behgjet Pacollit:

Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.

Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.

Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.

Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.

Duke marrë shkas nga leximi me i thellë i  një shkrimi në  media, dua të konfirmoj që puna për përfundimin e aeroportit të Vlorës po ecën përpara me sukses dhe me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare! Ne mezi presim që ta përfundojmë aeroportin në afat për ti dhënë Shqipërisë dhe bregdetit të saj të bukur dhe një destinacion tjetër.  Vendimet e aksionerit te VIA nuk janë asgjë tjetër përveçse procedura rutinë që kanë të bëjnë me procese normale qe kane lidhje me garancine ndaj institucioneve financiare për mos transferimin e kuotave sa kohe qe kreditë e marra apo që do merren në lidhje me zhvillimin e aeroportit nuk janë shlyer.

Por, një reagim i kundërt në dukje me këtë të Pacollit ka ardhur nga drejtuesi i kompanisë “2A Group”, Valon Ademi aksionar në ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Kompania “2A Group” është shoqëria e kontraktuar për kryerjen e punimeve në këtë aeroport.

Ka njerëz që prej vitesh e quajnë zhvillim atë që në të vërtetë është vetëm mbulesë për mashtrim. Ato shiten si vendime, por në thelb janë një lojë e rrezikshme që nuk i reziston kohës. Ironia e madhe është se ata që kanë blerë gjithmonë besim, kujtojnë se mund ta blejnë dhe sot. Por është vetëm çështje kohe sepse një lojë kaq e rrezikshme nuk mund të vazhdojë gjatë“, shkruan Valon Ademi në reagimin e tij./NEWSBOMB.AL

Zjarr Tv Ad