Në Fier, një qytet që nuk fle kurrë – sidomos kur vjen puna për të kërkuar llogari – ka nisur të qarkullojë një pyetje sa ironike, aq serioze: “Kush e ka parë për herë të fundit Armando Subashin?”Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë rast zhdukjeje misterioze, as për ndonjë raport alarmant. Thjesht për një mungesë. Një mungesë të zgjatur të kryetarit të Bashkisë Fier, që prej kohësh duket se ka hyrë në heshtje mediatike, institucionale dhe, më e rëndësishmja – terreni qytetar.
I zënë apo i zhdukur?
Në rrjetet sociale, shfaqen video të vjetra me inspektime e ndarje fondesh. Në faqen zyrtare të bashkisë, postimet janë më të rralla se trotuaret e riparuara në lagje. E në qytet? Pyetja është gjithnjë e njëjtë:
“Po ky Armando ku është mo?”
Ndonjë thotë se është i zënë me projektet e mëdha. Të tjerë mendojnë se ndoshta është lodhur nga mandati i tretë. Ka edhe nga ata që bëjnë humor të hidhur – se ndoshta i ka mbaruar ‘plani vjetor i daljeve publike’ qysh në qershor.
Fierakët nuk harrojnë
Në kafene, në rrugë, në treg – emri i kryetarit është gjithnjë prezent, por në mungesë. Ka nga ata që thonë me ironi se ndoshta ka nisur “të ndjekë punët nga Zoom-i”, ndërsa disa të tjerë kujtojnë me nostalgji ditët kur kryetari “bënte xhiro me kameramanin”.
A do të kthehet Subashi?
Deri atëherë, qyteti vazhdon të bëjë pyetjen që do të duhej të mos ishte kaq e zakonshme për një bashki që ka aq shumë për të bërë:
“Kush e ka parë për herë të fundit Armando Subashin?”
Redaktoi Greta Hoxha.




