Veliaj uron fëmijët për fillimin e shkollës, Shabani: Tiranës i duhet një kryetar, jo një …

0
37

Endri Shabani ka ironizuar Erion Veliajn, pas reagimit të këtij të fundit në kanalin e vet në facebook, ku uronte nga burgu fëmijët për vitin e ri shkollor. Ndër të tjera, Shabani ka vënë theksin te ushqimi që duhet të serviret për ta, fakt për të cilin kishte folur edhe Veliaj në rrjetet sociale.

Kreu i Nismës “Thurrje”, evidenton se Erion Veliaj nuk mund të jetë Kryetar i Bashkisë së Tiranës duke i treguar se pse nuk mund të qeverisë pas hekurave. Madje me një rresht të shkruar nga kryebashkiaku pas qelisë, ku fëmijët nuk mund të ushqehen sepse ai gjendet në burg, Shabani duket se i “tregon udhën” për t’u larguar përfundimisht nga ky post i rëndësishëm në politikën shqiptare.

“Tiranës I duhet një kryetar, jo një kuzhinier.

Prej një viti kërkoj me ngulm që shkollat publike në Tiranë të ofrojnë ushqim falas për fëmijët.

Sot, përgjigjen na e dha vetë kryetari i burgosur i bashkisë, Erion Veliaj.

Ai deklaroi se arsyeja pse fëmijët nuk ushqehen në shkolla është fakti që kryetari i bashkisë ndodhet në burg. Pra edhe ai e kupton që nga burgu nuk mund të qeverisë Tiranën.

Ne nga burgu nuk e nxjerrim dot. Por ajo që mund të bëjmë është ta shkarkojmë dhe të zgjedhim një kryetar të ri bashkie, në mënyrë që fëmijët tanë të mos paguajnë çmimin e problemeve të tij me drejtësinë.

Prandaj u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të votojnë mocionin tim për shkarkimin e Erion Veliajt. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që fëmijët e Tiranës të kenë ushqim në shkolla dhe që bashkia të qeveriset normalisht.

Kryetari e pranoi vetë që për sa kohë është në burg, fëmijët e Tiranës nuk do të kenë ushqim në shkolla. Çfarë presim më?”, shkruante në facebook, Endri Shabani.

Ndërkohë, më herët, reagoi në rrjetet sociale Erion Veliaj, i cili uronte fëmijët për vitin e ri shkollor, ndërsa ndalej edhe te i biri që këtë vit nis klasën e parë. Gjithashtu, ndër të tjera, ai theksonte mungesën e ushqimit, prej faktit se ai gjendet në burg. E për këtë, i është kundërvënë menjëherë Shabani.

Reagimi më herët i Erion Veliajt:

Një urim, një ndjesë dhe tre këshilla
Të dashur miqtë e mi, nxënës të Tiranës,
Prej dhjetë vitesh ju kam shkruar personalisht çdo shtator, për t’ju uruar sukses e mbarësi. Ndaj, edhe pse virtualisht, nuk doja të mungoja këtë vit për t’ju dhënë kurajo me një mesazh zemre.
Ky vit është posaçërisht i veçantë për mua, teksa edhe im bir shkon në klasën e parë. Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit. Por, kjo s’duhet të na heqë gëzimin e këtij fillimi të ri, shprese të re. Ndaj, nga zemra ju uroj sukses për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Së dyti, një ndjesë të sinqertë. Ne kemi ndërtuar 50 shkolla të reja në Tiranë, totalisht europiane, dhe 110 kopshte e çerdhe të reja. Kjo më bën krenar për punën në bashki dhe për të gjithë ata që na kanë dhënë një dorë. Megjithatë, ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla – një ide që e kam dashur prej kohësh dhe që më në fund ishim gati ta implementonim. Dreka do ushqente fëmijët e Tiranës nga e majta dhe e djathta, vendalinjtë dhe të ardhurit. Ndalimi arbitrar i vullnetit të popullit për t’u qeverisur në bashki prodhon pasoja, ku projekti i drekës në shkolla është vetem njëri prej tyre. Megjithatë, përgjegjësia mbetet tek unë dhe do ta rikuperoj sa me shpejt që të mundem.
Dhe në fund, 3 këshilla që me shpresë do t’ua gjeni dobinë:

1.
Përqafoni dijen. Mësoni fort, lexoni shumë, kapni dijet, jo veç notat. Dija është e vetmja pronë që do keni gjithnjë me vete, dhe as e prish dot tërmeti, as përmbytet e as sekuestrohet. Është gjithmonë juaja dhe në dobinë tuaj.
Tiranën dhe kombin tonë mund ta çojnë përpara vetëm ata që shkëlqejnë në dije, ata që punojnë fort dhe sjellin risi, jo ata që pengojnë pa pushim. Qytetin në dritë e nxjerrin ata që ndjekin përpjekjet e mira, jo ata që përndjekin njerëzit e mirë.
Ndaj, bëhuni gjahtarë ideshë dhe jo gjahtarë njerëzish. Në një shoqëri demokratike, ku mund të jeni gjithçka, zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena.
Mësoni historinë për të mos e përsëritur atë! Lakojeni bukur gjuhën shqipe për ta përdorur si ilaç që shëron, jo si helm në rrjete e portale ndaj njëri-tjetrit. Thikat përdorini në një kurs gatimi, por kurrë në oborre shkollash ndaj shokut – brezi juaj nuk mund të jetë kopja e re e brezit të vjetër nga TV-të e një nate më parë. Përqafoni dijen miq, e ajo do t’ju nderojë.

2.
Përkraheni suksesin dhe mos i vajtoni stepjet e pengesat e përkohshme.
Nëse një nga shokët merr 10, bën një 3 pikësh apo fiton olimpiadën, gëzohuni të gjithë bashkë. E di që në shoqërinë tonë shpesh suksesi është një mëkat i pafalshëm, por ju jeni shpresë për një Shqipëri të re, ku solidariteti e mirësia e mund arrogancën e injorancën.
Rrëzimi nuk është e kundërta e suksesit, e as nuk zgjat pafundësisht. Jeta mund t’ju ulë në gjunjë dhe më poshtë se ëndrra juaj më e keqe – ja, më pyesni mua – por, nëse ngrihesh dhe ja kris vrapit sërish, më fort e më shpejt, e rigjen veten dhe vendin që meriton.
Dhe nëse shihni të tjerë që rrëzohen, mos iu gëzoni fatkeqësisë së tyre sepse padrejtësia diku, shpejt kthehet në padrejtësi kudo, ndaj fërkimi i duarve ndaj vuajtjes së tjetrit, as ju ndihmon, as ju nderon.
Përqafoni sukseset e njëri-tjetrit dhe jepini dorën shoshoqit për t’u ngritur më shpejt e avancuar më fort.

3.
Familja dhe miqtë nuk mund të zëvendësohen nga teknologjia. Përdorini mjetet digjitale, por mos harroni se jemi njerëz. Inteligjenca artificiale mund të zgjidhë probleme të matematikës apo t’ju kompozojë një këngë, por nuk ka empatinë e një shoku a një shoqeje që të përqafon, qan e qesh me ty, të ngre humorin kur pengohesh, të brohoret kur ringrihesh.
Kaloni kohë cilësore me familjet tuaja; nuk ka telefon, avatar apo chatbot që zëvendëson prindërit, gjyshërit, motrën e vëllain. Jeta nuk është e pafundme dhe as e parashikueshme, ndaj shijoni çdo moment e çdo mundësi për të qenë bashkë, biseduar, luajtur e udhëtuar.
Unë, si edhe ata, jam shumë krenar për ju. Në këto 10 vite që ju kam njohur – disa prej jush, që nga kopshti e gjer në gjimnaz, – kam parë te ju të ardhmen, dhe më është dukur e shkëlqyer. Kam parë shqiptarët e rinj plot mirësi, përulësi, dije, zell, të mençur e të dashur.
Forca pra, për një vit tjetër të shkëlqyer!
Ju dua shumë!
Lali Eri

Zjarr Tv Ad