Gazetarja Klodiana Lala, ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ajo ka folur për aferën e kompanisë Bankers Petroleum, që aktualisht po hetohet nga SPAK me dyshime për përfshirje të një organizate të strukturuar kriminale.
Sipas Lalas, në këtë çështje rezultojnë të përfshirë një ish-ministër i qeverive “Rama 1” dhe “Rama 2”, si edhe një deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Socialiste.
Lalaj shtoi se hetimet e SPAK janë shtrirë edhe ndaj pesë gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë trajtuar më herët çështje të Bankers dhe dyshohet se kanë marrë vendime për arsye korruptive.
“Në dosjen e prokurorisë së Fierit, rezulton një ish ministër i kohës së Ramës në qeveritë “Rama 1” dhe “Rama 2”, që rezulton i përfshirë dhe një deputet i Kuvendit në rradhët e socialistëve, që rezulton person i referuar si i përfshirë në aferën Bankers. Pra këta janë referuar si të përfshirë në disa vepra penale.
Momenti i dytë, janë pesë gjyqtarë dhe prokurorë, që kanë patur çështje të Bankers dhe dyshohet se kanë marrë vendime për arsye korruptive. Ka edhe zyrtarë të tatimeve, po verifikohen nëse kanë patur rol për shmangien e tatimeve, që kompania të dilte me humbje. Këto janë fushat e veprimit ku është ndalur Prokuroria e Posaçme. Janë bërë shumë përgjime, gama e personave të hetuar do të jetë shumë e madhe. SPAK ende nuk i ka thirrur personat.
Me sa duket prokuroria po sheh nëse do të mbajë të njëjtin qëndrim si Fieri për personat e parë të dyshuar. Mund të ketë mundësi për masa të reja për zyrtarët e lartë”, deklaroi Lala.



