Përkeqësohet gjendja shëndetësore e tre prej grevistëve në zyrat e Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve në Marinzë, teksa greva e urisë ka hyrë në ditën e gjashtë.
Situata u bë alarmante në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kur një ekip mjekësor mbërriti me ambulancë për të monitoruar nga afër shëndetin e grevistëve, pas shfaqjes së simptomeve serioze.
Sipas burimeve nga vendngjarja, të gjithë 10 anëtarët e këshillit sindikal kanë shfaqur probleme të theksuara fizike, përfshirë temperaturë të lartë, lodhje ekstreme, marramendje dhe dhimbje koke. Tre prej tyre janë detyruar të marrin injeksione për stabilizimin e gjendjes.
Pavarësisht përkeqësimit të shëndetit, grevistët deklarojnë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund betejën e tyre, derisa të plotësohen kërkesat ligjore dhe ekonomike që lidhen me kushtet e punës dhe të ardhurat e tyre.
Protesta e sindikalistëve në Marinzë mbështetet edhe nga punonjësit e fushave naftëmbajtëse, të cilët vijojnë grevën përmes bojkotit të punës, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të situatës nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga autoritetet.
Grevistët kanë bërë apel për ndërhyrje emergjente të qeverisë dhe institucioneve përkatëse, ndërsa situata në terren po shihet si një nga më të tensionuarat e viteve të fundit në sektorin e hidrokarbureve.
Çfarë dihet deri më tani?
Protestuesit e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” në Marinzë paralajmërojnë se deri më tani nuk ka transparencë për kontratat ekzistuese, asnjë informacion zyrtar për një marrëveshje të ardhshme dhe se kjo mungesë komunikimi po i shtyn drejt grevës totale në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Ata theksojnë se janë të vendosur të ndalin punën deri në arritjen e një zgjidhjeje konkrete dhe një marrëveshjeje të re me punonjësit, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve dhe i kompanisë për situatën.
Sindikata paralajmëron se greva mund të ashpërsohet në ditët në vijim./Syri.net



