SPAK dhe Ministria e Drejtësisë, kërkojnë ekstradimin e Arben Ahmetajt nga Zvicra

0
0

SPAK ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra, i shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Zvicër, aty ky Ahmetaj është arratisur që prej korrikut të vitit 2023.

Shkresa për Ahmetajn u bë me dije gjatë relatimit të fakteve në procesin në themel për dosjen ‘Buka’ ku u vendos të vijojë procesi në mungesë për ish numrin 2 të qeverisë.

Lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, Ahmetaj akuzohet për veprat penale “Pastrim parash”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Korrupsion pasiv”.

Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër i Financave, por edhe më parë si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në disa raste me vendimmarrjen apo me ndikimin e tij ka bërë të mundur që sipërmarrësve Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, t’i lidheshin kontratat koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Si shpërblim për të gjitha këto veprime sipas SPAK Ahmetaj ka marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasuri që kapin vlerën e 500 mijë eurove, referuar hetimit të SPAK.

Sakaq, avokati përfaqësues i Ahmetajt, Henrik Ligori thekson e ndaj Ahmetajt nuk ka asnjë masë sigurie lidhur me çështjen e inceneratorit. Ndërkohë prokurori i çështjes Elvin Gokaj, kërkon që të pyeten si dëshmitarë 14 persona, ndër to dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Prokurori i SPAK: Kemi rene ne kontakt me një shume te madhe parash qe janë transferuar nga Shqipëria në një vend te BE qe po verifikohet.

Avokati i Ahmetajt: Prokurori po thotë qe po na doli gjë nga kjo do ngremë akuzë, nëse ka hetime te tjera për këtë çështje prokurori nuk kishte ngutje te mbyllte hetimet, nuk mund te jete proces i rregullt me akte surprize, nëse ka prova te tjera prokurori t’i paraqesë.

Prokurori: Këtë akuzë e kishim të detyruar ta njoftonin për shkak te afateve te parashkrimit, çështja është ndarë për shkak te akteve që kanë ardhur nga Austria.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që prej korrikut 2023. Ish-zv.kryeministri aktualisht qëndron në Zvicër ku dhe ka kërkuar azil politik.

Përveç hetimeve për inceneratorin e Tiranës, Ahmetaj akuzohet gjithashtu dhe për veprat penale ‘shpërdorim detyre’ në vlerë dëmi rreth 7 miliard lekë të vjetra edhe për e privatizimin e fabrikës ‘Buka’.

Zjarr Tv Ad