Shqipëria feston 113 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë!

0
0

Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me në qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.

28 nëntori përkon edhe me ditën kur Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti më 1443 flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane. 

Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 nëntor 1912  nga Ismail Qemali në Vlorë. Në Kuvend morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë më pas, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur.

I pari që ka bërë një urim ka qenë kryeministri Edi Rama. “Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, ka shkruar ai krahas një fotoje. 

Në këtë ditë të shënuar, do të mbahen një sërë aktivitetesh në vend. Në Vlorë, aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.

Po ashtu edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete. Festa nis në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Më pas, Pazari i Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale, ku të rritur e fëmijë do të shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.

Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.

113 vite shtet, kryeministri Rama uron: Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Kryeministri Edi Rama ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë së vendit. Në një postim në rrjete sociale ai shkruan:

“Mirëmëngjes dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.

Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit: Trashëgimia e themeluesve, udhërrëfyes për të ardhmen

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka uruar sot të gjithë shqiptarët në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ai thekson se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi trashëgiminë e themeluesve dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për një Shqipëri të përparuar dhe europiane.

“Nga faqet që shkruajnë historinë, te dita që na bashkon të gjithëve! Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë. Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim”, shkruan Kryetari Peleshi.

Për të shënuar këtë ditë, Kryetari i Kuvendit ka publikuar edhe një video simbolike, ku shfaqet libri me Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar 1912-1922, duke rikujtuar momentet kyçe të shtetformimit dhe rëndësinë e dokumenteve historike si udhërrëfyes për brezat e rinj.

Osmani: Historia jonë, e shkruar me gjak! Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Festën e 28 Nëntorit, duke u shprehur se historia e shqiptarëve është shkruar me gjak.

Postimi i plotë:

Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.

Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

Gëzuar Ditën e Flamurit!

Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Kurti uron 113-vjetorin e Pavarësisë: T’i kthejmë sytë nga ‘Nëntori i Tretë’

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar përmes një postimi të gjatë në rrjete sociale të gjithë shqiptarët për 113-vjetorin e Pvarësisë së Shqipërisë. Kurti, teksa kthehet pas në histori, thekson se duhet t’i kthejmë sytë nga një “nëntor i tretë”, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm.

Reagimi i plotë i Kurtit: 

Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.

Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!

Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

 Meta uron nga qelia: Përulemi me respekt para atyre që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në rrjete sociale, ish-presidenti shprehet se përulen me respekt dhe nderim para Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit dhe figurave të tjera që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar. 

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur! “, shkruan Meta. 

Zjarr Tv Ad