Ervin Salianji filloi zyrtarisht lëvizjen e re brenda Partisë Demokratike. Takimi i parë me strukturat e partisë u zhvillua në Durrës, ku kishte me vete edhe dy nga kandidatët më të votuar të demokratëve në 11 maj, por që nuk u zgjodhën deputetë: Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.
Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti u ndal te nevoja për rikthimin e energjisë së demokratëve dhe përgatitjen e PD-së për të udhëhequr ndryshimin politik në vend.
“Rizgjim i PD, sepse ju jeni heronjtë e PD, keni sakrifikuar dhe keni dhënë kontribut duke u përballur me autokraci dhe në këmbim s’keni kërkuar asgjë veç vëmendjes, e dëgjesës, e ndarjes së shqetësimeve që secili i ka për fuqizimin e PD”, deklaroi Salianji.
Emri i Sali Berishës nuk u përmend asnjëherë nga Ervin Salianji, por duke renditur arsyet se përse demokratët nuk dalin më as të votojnë, ai e drejtonte në mënyrë të nënkuptuar gishtin e fajit nga lideri historik i PD-së.
“Dhe ky ndryshim, pa diskutim, që fillon edhe nga kjo sallë, si takimi i parë që po zhvillojmë me demokratët, nga ky brez që dëgjuam pak më parë, nga kjo energji që është e pashtershme në PD, por që nuk i jepet mundësia për arsye që i di secili prej jush”, u shpreh Salianji.
Për Salianjin dhe mbështetësit e tij, momenti i ndryshimit të lidershipit të PD-së duket se ka ardhur, dhe sfida politike para tyre shihet e fortë. Ashtu siç thonë vargjet e kolonës zanore të tij, për ta “është koha për të vrarë të kaluarën”.




