Endri Shabani do të jetë Avokat i Popullit për një mandat 5-vjeçar. Parlamenti votoi të enjten në mbrëmje kandidaturën e tij me 85 vota pro dhe 3 kundër.
Procesi i votimit ishte i fshehtë, por Euronews Albania mëson se Shabani ka marrë votat e 82 deputetëve socialistë dhe tre deputetëve të Partisë Socialdemokrate.
Partia Demokratike dhe Partia Mundësia nuk morën pjesë në votim. Ndërkohë, tre votat kundër janë të deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, deputetes së Shqipëria Bëhet, Ana Dajko, dhe deputetit të PD-së, Artan Luku të cilët qëndruan në seancë.
Opozita kundërshtoi ashpër procedurën e ndjekur, duke deklaruar se kishte tërhequr firmat mbështetëse për kandidaturat për Avokat të Popullit dhe se Endri Shabani nuk ishte kandidaturë e mbështetur nga PD. Pavarësisht kësaj, mazhoranca vijoi me procesin duke kaluar në votim kandidaturat.




