Partia Demokratike dhe aleatët e tjerë opozitarë do të zhvillojnë pasditen e kësaj të shtune, në Tiranë, një protestë kombëtare të paralajmëruar më parë. Sipas tyre, zëri i qytetarëve do të trondisë atë që ata e quajnë regjim të Edi Ramës.
Protesta do të nisë në orën 17:00 dhe siç është njoftuar, qendra e tubimit do të jetë përpara Kryeministrisë. Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, prej ditës së premte dhe sot, e shtunë, kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
– Nga ora 23:45, të ditës së premte, është bllokuar lëvizja dhe nuk është lejuar parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
– Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.




