Kryeministri Edi Rama ka shkuar këtë të shtunë në bashkinë e Durrësit, ku ka zhvilluar rreth 2 orë e gjysmë takim me banorët të cilët preken nga projekti TID.
Siç raportohet, kreu i qeverisë ka deklaruar se projekti nuk do të ndalet.
“Do bëhet verifikimi i nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlerë kulturore. Ramë dakord se si të shkojmë përpara”, ka thënë Rama në prononcim për gazetarët.
“Banorët do të shpronësohen, do të shohim referencat e reja”, ka theksuar ai.
Sipas një vendimi të nxjerrë nga qeveria vitin e shkuar, parashikohet shpronësimi i 74 pronarëve, por banorët janë të pakënaqur me kompensimin, pasi sipas tyre “çmimi për metër katror është disafish më i ulët se në treg”.
Projekti TID Durrës është një nismë e qeverisë shqiptare që synon të kthejë zonën arkeologjike të qytetit në një park të madh urban, duke integruar Amfiteatrin e Durrësit dhe duke zhvilluar turizmin, ekonominë dhe hapësirat publike.
Projekti parashikon restaurime, riorganizim rrugësh dhe krijimin e një modeli mikpritjeje për vizitorët.




