Përkeqësohet situata në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, fundoset një pjesë e aksit

0
0

Segmenti i bllokuar në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, që pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të një rruge dytësore, ka pësuar një tjetër goditje të rëndë.

Mësohet se rruga dytësore, e cila ishte hapur për të mundësuar kalimin provizor të mjeteve, ka pësuar një rrëshqitje në një sipërfaqeje të madhe toke.

Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar seriozisht punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë segment strategjik rrugor.

Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.

ARRSH, me anë të një njoftimi sot në datë 23 shkurt, lajmëron se ky segment rrugor ka pësuar defekte dhe fundosje.

“Segmenti rrugor në zonën e Arrës së Gurrës në Librazhd pritej të hapej sot, mirëpo ka pësuar dëmtime dhe fundosje. Për këtë arsye, nuk mund të hapet gjatë ditës së sotme. Aktualisht segmenti është i pakalueshëm. Rruga dytësore ka pësuar rrëshqitje, duke dëmtuar edhe rrugën provizore, të ndërtuar më herët”, sqaron ARRSH.

Zjarr Tv Ad