Debate në Këshillin e Imunitetit për ‘Ballukun’/ Bardhi: Mbledhja të bëhet me dyer të hapura, Balla: Jeni qesharakë

0
0

Këshilli i Imunitetit është mbledhur sot për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja me dyer të mbyllura është shoqëruar me debate. Kjo pasi demokratët kanë kërkuar që kjo mbledhje të mbahet me dyer të hapura, gjë që nuk është pranuar nga socialistët.

Gazment Bardhi tha se mbledhja mund të mbyllej vetëm kur prokurorët e SPAK ta shihnin të arsyeshme, kur të cenohej sekreti hetimor. 

“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje”, ka thënë kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi.

Bardhi ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se 2 muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Zëvendëskryeminsitres Belinda Balluku.

“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”- është shprehur Bardhi. 

Kreu i grupit parlamentar i PS Taulant Balla i është përgjigjur Bardhit duke i thënë se habitet si PD është kundër kërkesës së Prokurorit që mbledhja të mbahet me dyer të mbyllura.

“Kërkesa është e qartë, prokurori e do me dyer të mbyllura. Jeni qesharakë, thoni duam pikën 1 dhe nuk duam pikën 2 të të njëjtës kërkesë nga prokurori. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, është shprehur Balla.

Zjarr Tv Ad