E hënë, Mars 30, 2026
Ballina Aktualitet Çmimi i ulët i luleshtrydheve, fermerët e Fierit dalin në protestë

Çmimi i ulët i luleshtrydheve, fermerët e Fierit dalin në protestë

0
5

Fermerët e luleshtrydheve të zonës Frakull kanë dalë sërish në protestë këtë të hënë në aksin e autostradës Levan– Tepelenë. Ata ngrenë shqetësimin për çmimin e ulët të grumbullimit të lulështrydhes dhe mungesën e subvencioneve nga shteti.

Sipas fermerëve protestues, aktualisht lulështrydhja po blihet nga pikat e grumbullimit me rreth 5 mijë lekë të vjetra për arkë, ndërsa grumbulluesit e shesin në treg u konsumatorëve deri në 12 mijë lekë të vjetra për arkë ( një arkë ka 9 vasketa, 2 kg, 250 lekë të reja kilogrami). Kjo diferencë e madhe, sipas tyre, tregon për abuzim të hapur në treg, ku fermerët mbeten më të dëmtuarit.

Një tjetër shqetësim madhor i ngritur nga protestuesit është mungesa e mbështetjes financiare. Ata kërkojnë subvencione për bujqësinë, si dhe uljen e çmimit të naftës, që përbën një nga kostot kryesore të prodhimit.

Fermerët theksojnë se nëse ulet çmimi i karburantit dhe nëse qeveria subvencionon inputet bujqësore, si pesticidet dhe plehrat kimike, atëherë do të ulej edhe çmimi final i produkteve për konsumatorin.

Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, duke theksuar se pa ndërhyrje urgjente, bujqësia vendase rrezikon të shkojë drejt falimentimit.

Zjarr Tv Ad