Opozita zhvilloi pasditen e djeshme protestën e radhës kombëtare përpara Kryeministrisë. Ashtu si edhe tubimet e kaluara, edhe kjo protest u shoqërua me tensione dhe përplasje me uniformat blu. Situata u agravua pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, ku një protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe molotov drejt godinës së kryeministrisë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, ku ndryshe nga herët e tjera uniformat blu kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke shpërndarë në pak sekonda protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës. Si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës dhe spajt me piper disa deputetë të PD dhe ish kandidati për deputet, Aulon Kalaja mbetën të lënduar dhe u transportuan në spital.
Në total nëntë persona mbetën të dëmtuar, 5 janë nga radhët e uniformave blu dhe 4 janë protestues. Nga ana e saj Partia Demokratike akuzoi Policinë e Shtetit se me urdhër të Ramës përdori dhunë ndaj protestuesve.
Burime nga blutë bëjnë me dije se 11 persona janë arrestuar nga policia, ndërsa në total u shoqëruan 22 protestues.




