Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke e cilësuar procesin si të dirigjuar dhe të kontrolluar nga faktorë të jashtëm.
Ai tha se “nuk ka asnjë çudi nga drejtësia me regji e soroiste”, duke akuzuar se gjykimet zhvillohen sipas një skenari të paracaktuar.
Sipas tij, sot drejtësia nuk respekton as Kushtetutën, as Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe as thirrjet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Ai akuzoi se procesi gjyqësor është i zvarritur me qëllim, duke thënë se “prokurorët dihet se kush i komandon”.
Reagimi i Metës:
Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.
Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.
Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.
Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.
Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.
Sidoqoftë, ka një “koherencë” të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.
Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.




